Deri më tani në Itali ka 33 të tjerë të shëruar (622 gjithsej) dhe 133 vdekje të tjera (366 gjithsej). Sipas raportit të mbrojtjes civile të publikuar sot, ka 1.326 raste pozitive të infektimit me koronavirus për një total prej 6.387 personash që kanë rezultuar pozitivë. Janë 650 persona në kujdesin intensiv, 83 më shumë se dje. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar në Itali që nga fillimi i përhapjes së virusit është 7.375.
Për Lombardi, rajoni më i prekur, bilanci tregon se ka 4,189 të infektuar me koronavirus, me një rritje prej 769 personash, krahasuar me ditën e djeshme. Pacientët e kujdesit intensiv janë 399 (+40), 65% prej të cilëve janë mbi 65 vjeç. Ndërsa ata që kanë humbur jetën janë 267 (+113 krahasuar me dje, më të lartat në rajon që nga fillimi i epidemisë) dhe të rikuperuarit janë 550 (+26).
Gjithashtu në Lombardi janë 756 persona pozitivë ndaj virusit në izolim në shtëpi. Personat e shtruar në spital (jo në kujdesin intensiv) janë 2.217 (+556).
Italia është gjunjëzuar nga koronavirusi.
Kryeministri italian Giuseppe Conte ka firmosur dekretin që përmban masa emergjente për miliona njerëz në veri të vendit për shkak të coronavirusit. Dekreti i firmosur këtë të dielë ndalon udhëtimet për Lombardinë dhe 15 provinca të tjera, përfshirën Milanon, Venecian, kjo do të thotë që në karantinë do të mbesin 16 milionë njerëz deri më 3 prill. Këto janë masat më drastike që janë marrë deri tani në vendin fqinj për parandalimin e përhapjes së virusit.
“Për Lombardinë dhe provincat e tjera në veri do të ketë ndalim të lëvizjeve për këdo, për të dalë dhe hyrë në këto territore, por edhe lëvizje brenda vetë këtij territori”, u shpreh kryeministri italian.
Sipas dekretit, masat drastike përfshijnë mbylljen e shkollave, resorteve si dhe mbajtjen e eventeve publike dhe private. Për ata që do të thyejnë këto rregulla, mund të ketë dënim me 3 muaj burg. Dekreti, i cili hyri në fuqi këtë të dielë, parashikon që të gjitha muzetë, qendrat kulturore, kinematë, teatrot, pubet dhe klubet e natës do të mbyllen. Kafenetë dhe restorantet do të lejohen të qëndrojnë të hapur për sa kohë që mund të garantohet distanca një metër midis klientëve.