Nga mengjesi i kësaj të hënë ku ministria e Shëndetësisë konfirmoi dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri, institucionet kryesore në vend kanë marrë masat përkatëse për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.
I pari ishte kryeministri Edi Rama, që në mbledhjen e qeverisë në orët e para të mëngjesit lajmëroi pezullimin deri më 3 prill të fluturimeve dhe lundrimeve drejt veriut të Italisë, pezullimin e të gjitha shkollave me 2 javë si dhe shtroi kërkesën për anulimin e të gjitha grumbullimeve masive kulturore, sportive, aktivitete, dëgjesa publike, koncerte, e dëgjesa publike.
Lexo edhe këtë: Covid-19, Rama: Pezullim i institucioneve arsimore për dy javë, ndalohen fluturimet në Italinë e veriut
Më tej kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj njoftoi se të gjithë autobusët e transportit publik në Tiranë do të dezinfektohen, si masa të shtuara kundër koronavirusit. “Nis dezinfektimi i autobusëve! Por kini parasysh, kalon nga njeriu te njeriu, jo aq shumë nga autobusi te njeriu! Ndaj idealisht udhëtimi me biçikletë, apo ecja në këmbë është akoma më e shëndetshme si në rast virozash, ashtu dhe në ditët normale” tha Veliaj.
Veliaj mori vendimin edhe për dhënien leje të gjitha nënave që punojnë në Bashkinë e Tiranës për t’u pasuar më pas edhe nga institucionet e tjera publike.
“Vendimi i parë ka të bëjë me shëndetin, më pas vijojmë me vendimet për prindërit e punësuar. Duke filluar nga sot pasdite për nënat që punojnë në Bashkinë e Tiranës e që besoj se do të pasohet nga të gjitha kompanitë e qytetit’, shkruan Veliaj.
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka shtyrë mbledhjen e planifikuar ditën e martë. “Në mbështetje të masave te marra nga institucionet qendrore shteterore, per shkak te situates se krijuar nga prezenca ne vendin tone te rasteve me COVID-19, ju njoftoj se mbledhja e Keshillit Bashkiak e planifikuar per neser date 10.3.2020, do te shtyhet deri ne nje njoftim te dyte” thuhet në deklaratë.
Po ashtu edhe Bashkia Kukës ka ndaluar të gjitha aktivitet që parashikohet të kenë fluks personash deri në datë 3 prill. Bashkia Elbasan njoftoi anulimin e të gjitha aktiviteteve që do të mbaheshin për Ditën e Verës.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka bërë me dije se urdhri për pezullimin transportit ajror dhe detar është vetëm për udhëtarët dhe jo mallrat. Nga ana tjetër, ajo ka bërë me dije kompanitë ajrore duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve.
“Sot kemi vendosur që të ndërpresim të gjitha akseset e transportit ajror dhe detar në zonat e kuq dhe zonat përreth në Itali. E dimë që është një vendim drastik, por është marrë në një situatë të jashtëzakonshme. Ju bëj thirrje që duhet ruajtur qetësia, nuk ka arsye për panik. Duhet bashkëpunim nga ana e qytetarëve. Urdhri për ndalimin e fluturimeve u referohet vetëm pasagjerëve. Sa i përket mallrave nuk bëhet fjalë që të kemi pezullim të avionëve cargo. Gjithashtu u referohem edhe aviacionit Civil, që ka lënë të hapur aeroportin e Romës, si një hap për të shpërndarë pasagjerët që bllokohen në destinacionet Europiane. Do ishte shumë mirë që të gjitha kompanitë të merrnin masa në të mirë të qytetarëve, të mbërrijnë në destinacione që të aksesojnë më pas në destinacionin final ku donin të shkonin. Të gjithë pasagjerët që duan të ndryshojnë kohën e biletës, t’u jepet mundësia që ta rirezevojnë për një moment të dytë. Linja Durrës Ancona- Trieste, është një linjë kalendarike për udhëtarët, jo të mallrave. Pezullimi qëndron në fuqi deri në një vendim të dytë”, tha Balluku.
Lexo edhe këtë: TIA rrit numrin e aeroporteve italiane ku ndalohet fluturimi, funksionalë vetëm Roma dhe Bari