Koronavirusi prek çmimet e derivateve edhe në Kosovë

05/03/2020 2:25 PM 0 komente

Epidemia e koronavirusit ka prekur shumë vende nëpër botë. Ky virus që po cilësohet si një ndër më vdekjeprurësit, ka shkaktuar vdekjen e mijërave personave nëpër gjithë botën.

Më shumë janë prekur vendet aziatike, kurse as shtetet evropiane nuk kanë shpëtuar lehtë.

E paniku nga infektimi prej koronavirusit ka çuar në rritjen e shumëfishtë të çmimeve në produktet higjieno-sanitare nëpër vende të ndryshme të botës, por edhe në Kosovë.

Madje ky virus ka ndikuar në çmimin e derivateve.

Por, për dallim nga produktet tjera, koronavirusi e ka çuar çmimin e naftës së papërpunuar në botë, në nivelin më të ulët në 31 muajt e fundit, pikërisht në javën kur investitorët presin takimin e rëndësishëm të OPEC-ut që do të mbahet në Vjenë.

Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent ra shumë poshtë në 48.40 dollarë për fuçi të hënën për të shënuar nivelin e tij më të ulët që nga 24 korriku 2017.

Kështu edhe çmimet në Kosovë si shkak i kësaj, janë ulur.

Në Kosovë mund të gjesh çmimet e naftës me 1.07 euro për litër , dhe 1.08 për benzinë.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Ai ka thënë se për këtë çmim ka ndikuar nga berza ndërkombëtare. Berjani thekson se këto çmime janë prej një kohe të gjatë në vend.

“Kemi raste kur prodhimi është rritur dhe kemi pasur ulje të çmimeve dhe anasjelltas , ka pasur zvogëlim të prodhimit dhe çmimet janë rritur. Në Kosovë qe një kohë të gjatë janë çmimet standarde pa lëvizur. Po ashtu kemi pasur raste kur çmimet me shumicë janë rritur por ato me pakicë nuk kanë lëvizur”, ka thënë Berjani.

Berjani tutje ka krahasuar çmimet e derivateve në Kosovë me ato të rajonit për të cilat thekson se Kosova ka çmimet më të ulëta.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta të derivateve në krahasim me rajonin. Në Maqedoninë Veriore janë çmimet më të ulëta sepse ky vend e ka akcizën më të ulët për 0.22 euro. Ndërsa në Shqipëri çmimet janë për një litër dizel 1.37 euro dhe 1.38 për një litër benzinë”, ka thënë ai.

Ndryshe, koronavirusi i cili u shfaq në Kinë dhe u përhap shpejt në të gjithë botën, ka shkaktuar dobësimin e aktiviteteve ekonomike në Azi dhe uljen e kërkesës së naftës në të gjithë botën.

Nafta e papërpunuar Brent të premten e kaluar u mbyll me 50.52 dollarë për fuçi, pasi filloi javën me 57.85 dollarë për fuçi të hënën e kaluar, duke shënuar një rënie javore prej 12.6 për qind, rënia më e madhe javore që nga janari 2016.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of