Shtëpia e pushimit të ushtarakëve në Durrës, e njohur si Konvalishenca do të kthehet në karantinë, në rast se do të kemi persona të prekur me koronavirus. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Rama në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë.
Rama tha se Komiteti Teknik ka vlerësuar disa ambiente si të përshtatshme si karantina, ndërsa shtoi se edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi” ka kapacitete shtesë.
“Komitetit Teknik ka vlerësuar disa ambiente si përshtatshme si karantina. Në asnjë vend karantinat nuk ndërtohen nëpër male, pyje apo larg zonave të banuara. Në rastin e parë të vendosjes së karantinës ne kemi përcaktuar vendosjen e shtëpisë së pushimit të Ushtarakëve në zonën e Durrësit. Me OBSH është përcaktuar përmbushja e të gjitha kushteve. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” ka kapacitete shtesë. Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhrin për masat e shtuara në shkolla. Janë rekomanduar qytetarët të kufizojnë udhëtimet jo të domosdoshme në zonat e prekura”.
Në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast të koronavirusit COVID-19. Në komunikimin e përditshëm të Task-Forcës në Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmohet se janë testuar 17 raste të dyshuara, të cilët kanë rezultuar negative.