Nisma e qeverisë për të krijuar një korporatë shtetërore investimesh është pritur me skepticizëm nga ekspertët.
Sipas një projektligji që ministria e financave ka hedhur për konsultim, korporata shtetërore e investimeve do të menaxhoj të gjithë pronat publike duke patur të drejtën të hyjë në marrëdhënie me privatët për ti zhvilluar ato. Por përveç kësaj ajo do të ketë dhe atribute të marr kredi nga bankat vendase ose të huaja për të financuar investimet publike. Sipas Selami Xhepës kjo është e rrezikshme.
“Do të krijohej borxh ekstrabuxhetor, n.q.s korporata do hynë në marrëdhënie me sistemin bankar vendas mund të krijonte probleme për të transmetuar këto efekte në sistemin tonë të brendshëm bankar dhe për pasojë efekti i kësaj banke në zhvillimin e pronës shtetërore do të ishte më shumë i dëmshëm se do ta ndihmonte”, tha Selami Xhepa.
Por pika më e debatueshme e draftit është se edhe pse do të jetë shtetërore, korporata e investimeve nuk do i bindet ligjit të prokurimeve publike, por do të qeveriset si një kompani private.
Projekt-ligji që krijon korporatën e investimeve është në fazë konsultimi dhe ende nuk është miratuar në qeveri. Por nisma ka shkaktuar jo pak debate publike, ku zërat më kritikë e cilësojnë si një skemë për të tjetërsuar pronën publike dhe për të krijuar llogari jashtë buxhetit që rrezikojnë financat e shtetit.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.