Korrektohet metodologjia, bizneset në tregun e lirë do ta paguajnë energjinë në gusht 12.75 lekë/kwh

18/09/2019 11:52 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Muaji gusht iu është faturuar bizneseve në tregun e lirë që furnizohen ende nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit me një tarifë 12.75 lekë/kwh.

Në vendimin e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, pas aplikimit të bërë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, vihet theksi në faktin se tashmë, për të dytin muaj radhazi pas korrikut është bërë i mundur zbatimi i një metodologjie të re. Kjo e fundit u kërkua që të korrigjohej për mënyrën sesi OSHEE përllogariste çmimin final për bizneset në pik dhe në orarin tjetër të ditës.

“Shoqëria OSHEE sh.a., informon se duke filluar nga muaji korrik 2019, për të gjithë klientët FMF-së janë marrë masat e faturimit me të njëjtën tarifë si për energjinë në Pik dhe atë Aktive. Në vendimin nr. 126, datë 08.08.2019, bordi i ERE-s vendosi që shoqëria OSHEE sh.a. duhet të bëjë korrektimin, për të gjithë faturimet e kryera në Pik për gjatë gjithë periudhës që OSHEE sh.a. ka ushtruar funksionet si Furnizues i Mundësisë së Fundit për klientët e lidhur në 35 kV” thuhet në vendim.

Nga ana tjetër, vetë ERE përmes një analize, ka bërë verifikimin mbi zbatimin e metodologjisë së re nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Për sa më sipër, ERE bëri analizën dhe verifikimin e strukturës së shitjes të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për muajin korrik 2019, sipas raportimeve periodike të dërguara nga OSHEE sh.a. me shkresën nr. 18024 Prot, datë 27.08.2019 (Protokolluar në ERE me nr. 113/7, datë 29.08.2019). Nisur nga vlera e të ardhurave të realizuara nga shitja e energjisë në pik prej 226,376 lekë dhe sasia e energjisë së shitur në pik prej 17,755 kWh rezulton se çmimi i aplikuar në pik është 12.75 lekë/kWh, i njëjtë me atë të miratuar nga ERE për muajin korrik, gjë që konfirmon se shoqëria ka ndërprerë praktikën e faturimit me çmime ndryshe nga miratimi për energjinë në pik” nënvizon ERE.

Duke u ndalur në zërat që zbatohen për të nxjerrë tarifën finale, ERE rendit se janë marrë parasysh ato fillestare të blerjes së energjisë në tregun e lirë, ato të transmetimit, shpërndarjes si dhe ato të kostove operative të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit. Nga ana tjetër, OSHEE është në proces rimbursimi për pjesën që u është faturuar gabim më herët bizneseve.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of