Korridore të qeta, një program i plotë virtual i sesionit të 75 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Pesë gjëra që duhet të dini

15/09/2020 7:41 PM 0 komente

Sesioni i 75-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (UNGA) fillon më 15 shtator dhe këtë vit, për shkak të pandemisë aktuale globale, ka për të qenë ndryshe nga çdo sesion tjetër në historinë prej treçerek shekulli të kësaj organizate.

Këtë muaj, nuk kemi për t’u ndeshur me presidentë apo me figura të famshme globale në korridoret e zhurmshme dhe ndonjëherë të tejmbushura të selisë së OKB-së në Nju Jork.

Nuk kemi për t’u mrekulluar pafund me kolonat presidenciale në First Avenue apo me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në hollin e artë të Asamblesë së Përgjithshme, pasi kjo periudhë, më e ngarkuara e vitit për organizatën, është riprojektuar e gjitha në këto kohëra të COVID-19.

Pjesa më e madhe e liderëve nuk do të jenë personalisht aty dhe takimet do të jenë virtuale, por kjo nuk do të thotë që rrotat e diplomacisë globale dhe zhvillimit të qëndrueshëm nuk do të rrotullohen me shpejtësinë e zakonshme.

Ja pesë gjërat që mund të prisni nga UNGA 75.

Katalin Bogyay, Përfaqësuese e Përhershme e Hungarisë në Kombet e Bashkuara, përgatit fletët e saj të votimit gjatë zgjedhjeve në Hollin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Foto/Eskinder Debebe

1) Fjalime nga presidentë dhe krerë shtetesh

Qendra e çdo sesioni të ri të Asamblesë së Përgjithshme (referuar shpesh shkurtimisht si AP) është padyshim Debati i Përgjithshëm, i cili fillon më 22 shtator, një javë pas hapjes zyrtare.

Është një okazion unik global, ku presidentët dhe krerët e shteteve (dhe ndonjëherë zëvendësit e tyre ose ministrat e jashtëm) dalin në podium dhe i drejtohen një audience botërore për çështje që ata zgjedhin të trajtojnë. Këtë vit, për shkak të pandemisë, liderët botërorë do të jenë larg dhe janë ftuar të dërgojnë videot e tyre të regjistruara paraprakisht me fjalimet që do të transmetohen “si live“.

Fjalimet pritet të prezantohen nga një përfaqësues i secilit shtet me seli në Nju Jork, që do të jetë fizikisht i pranishëm në takim.

Megjithatë, çdo lider botëror ka të drejtën të jetë i pranishëm fizikisht, të mbajë fjalën e tij, një mundësi që të paktën një president që pret të rizgjidhet këtë vit thuhet se po e mendon.

Selia e Kombeve të Bashkuara, Manhatan, Nju Jork, 24 tetor 1955. Foto e OKB-së

2) Festimi i 75-vjetorit

Kombet e Bashkuara janë themeluar në vitin 1945 dhe shënojnë 75-vjetorin përmes asaj që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e quajti “debati i zgjeruar i popujve”, që “premton të jetë bashkëbisedimi global më i gjerë dhe më i madh i mbajtur ndonjëherë për të ndërtuar të ardhmen që duam.”

Një aktivitet në selinë e OKB-së më 21 shtator për të festuar themelet (aktivitet që do të mbahet online dhe në distancë) ka për qëllim “të gjenerojë një mbështetje të ripërtërirë për multilateralizmin”; një çështje që shumë besojnë se është bërë më urgjente se kurrë tashmë që bota po përballet me pandeminë e COVID-19. Pritet që Sekretari i Përgjithshëm ta përshëndesë personalisht këtë aktivitet të nivelit të lartë për të shënuar 75-vjetorin në Hollin e PA-së.

Lexoni më shumë këtu për rolin e liderëve të të rinjve në krijimin e një OKB-je të përshtatshme për të ardhmen e tyre.

Një grua duke mbledhur fasule në një fermë bujqësore në Kenia. ©FAO/Fredrik Lerneryd

3) ‘Të transformojmë botën’ përmes Zhvillimit të Qëndrueshëm

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ose OZHQ-të – 17 objektivat e rëna dakord në shkallë ndërkombëtare për reduktimin e varfërisë dhe për ruajtjen e paqes, duke mbrojtur në të njëjtën kohë planetin – mbeten në krye të axhendës së OKB-së gjatë vitit 2020, ndërkohë që shumë , duke përfshirë edhe Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, janë të mendimit se pandemia thjesht e ka theksuar edhe më me forcë se përse këto objektiva janë të rëndësishme.

Në sesionin e 75-të të PA-së, OZHQ-të do të jenë në qendër të vëmendjes përmes asaj çka përshkruhet si ” i pari transmetim global 30-minutësh i këtij lloji”, krijuar nga shkrimtari dhe regjisori, si dhe këshilltari për OZHQ-të, Richard Curtis, i cili do ta çojë audiencën në të gjithë botën “në një eksplorim dinamik të kohëve që jetojmë, problemeve të shumta me të cilat përballet planeti ynë, si dhe të ndërhyrjeve që mund ta transformojnë botën tonë” deri në vitin 2030, kur shpresohet të përmbushen këto OZHQ.

Ndërkohë, Fusha e Veprimit të OZHQ-ve, e cila ofroi vitin e kaluar një pikë fokusimi dhe vend takimi për Selinë e OKB-së për të nxitur axhendën globale të zhvillimit të qëndrueshëm, do të zhvendoset tashmë online me “liderët frymëzues” që  pritet t’i bashkohen.

Fusha e medias së OZHQ-ve nga ana tjetër do të organizojë një sërë bashkëbisedimesh për ‘disa prej çështjeve më kryesore sot’, duke përfshirë ndikimin e KOVID-19, zhvillimin dhe disponueshmërinë e një vaksine, dezinformimet dhe mitet rreth virusit, si dhe barazisë gjinore dhe nevojës së ngutshme për mbrojtjen e biodiversitetit në zhdukje të botës.

Në partneritet edhe me programin flagshipAl Jazeera në gjuhën angleze, “The Stream”, OKB-ja do të mbajë gjithashtu një sërë diskutimesh për OZHQ-të.

Breg koralor, Australi. Banka e Imazheve Koralore /Matt Curno

4) Përballimi i ‘humbjes së paprecedentë’ të biodiversitetit global

Biodiversiteti i tokës, larmia e tij e pasur e jetës, po bie me “ritmet e paprecedenta” të paralajmëruara nga OKB-ja.  Më shumë s një milion specie rrezikojnë të zhduken, dy miliard hektarë tokë janë aktualisht duke degraduar dhe 66 përqind e oqeaneve, 50 përqind e brigjeve koralore dhe 85 përqind e lagunave janë ndryshuar ndjeshëm dhe negativisht nga aktiviteti i njeriut.

Këtë vit planifikohej të mbahej gjithashtu një samit i madh ndërkombëtar për të diskutuar adresimin e përkeqësimit të përshpejtuar të mjedisit natyror dhe për mënyrat se si ai ndikon dëmshëm në jetën e njeriut në Kunming, Kinë, por është shtyrë për në maj 2021.

Ndërkohë, nën kujdesin e Asamblesë së Përgjithshme, më 30 shtator do të mbahet një ditë me takime virtuale. Ndërkohë, qëndroni në pritje të Përmbledhjes për Situatën e Biodiversitetit 2020 që do të publikohet 15 shtator.

Një grua me një kamion pirun në fabrikën e riciklimit ku punon, Shouneh e Veriut, Jordani. UNDP/Sumaya Agha

5) Përkatësia gjinore: 25 vjet pas Pekinit

Progresi i arritur me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave është prekur ndjeshëm nga KOVIDI-19, pasi gratë dhe vajzat po vuajnë pasoja shpërpjesëtuese sociale dhe ekonomike sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Më 1 tetor, kjo dhe të tjera çështje të lidhura me barazinë dhe fuqizimin gjinor do të diskutohen në OKB në kuadrin e 25-vjetorit të Platformës së Pekinit për Veprim, të miratuar në nivel ndërkombëtar dhe që njihet gjerësisht si plani më gjithëpërfshirës dhe më vizionar për çuarjen përpara të të drejtave të grave dhe të vajzave.

Do të shihni Ditën e parë Ndërkombëtare të Pagesës së Barabartë më 18 shtator, e cila përqëndrohet në harmonizimine pagave mes burrave dhe grave.

Godina e njohur si Empire State Building ndizet si shenjë e shpërthimit të KOVID-19 në Nju Jork. Foto e OKB-së/Evan Schneider

Dhe e fundit…Njujorkezë të lumtur

Ndonëse jo saktësisht pjesë e Asamblesë së Përgjithshme, ajo lidhet me të në mënyrë të pazgjidhshme; shumë njujorkezë tmerrohen nga hapja e sesionit të ri të PA-së çdo shtator që sjell mbylljen e rrugëve, autokolona presidenciale që mbingarkojnë trafikun në First Avenue dhe gjithë zonën përreth qendrës së qytetit, duke shkaktuar ndërprerje të aktiviteteve.

Këtë vit, ndërsa udhëheqësit botërorë do të qëndrojnë larg, në Nju Jork, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe të vazhdueshme të pandemisë, që kanë çuar në humbjen e miliarda dollarëve në të ardhurat nga vizitorët dhe turistët, pa dyshim do të gëzojnë për atë një javë apo dhjetë ditë, kur një pjesë e vogël e qytetit të tyre global mbushet me presidentë dhe krerë shtetesh.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of