Kredia e re për shtëpi gjatë muajit korrik arriti nivelin më të lartë që nga tetori i vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re, e disbursuar për blerjen e banesave nga individët, për korrikun arriti vlerën e 2.37 miliardë lekëve ose rreth 19 milionë eurove.
Që nga fillimi i vitit, bankat kanë dhënë afërsisht 100 milionë euro kredi të reja për blerjen e shtëpive nga familjet shqiptare. Krahasuar me 7-mujorin 2019, kredia e re për shtëpi është tkurrur me 14%, çka është e kuptueshme, duke pasur parasysh mbylljen tremujore të ekonomisë, që e ndikoi ndjeshëm kërkesën dhe ofertën për kredi bankare. Por, pas muajit maj kredia për shtëpi është gjallëruar dhe paraqet një tendencë të dukshme në rritje. Pavarësisht krizës dhe një pasigurie ende të lartë që epidemia e Covid-19 po përcjell, individët vazhdojnë të marrin përsipër investime të konsiderueshme me kredi bankare, kurse nga ana tjetër edhe sektori bankar duket se po vazhdon ta mbështesë këtë kërkesë.
Kreditimi i individëve ka udhëhequr përtëritjen e kredisë bankare në epokën e postkrizës. Sidomos oferta për kredi për shtëpi ka qenë e kënaqshme, sepse për bankat ky është një nga produktet më cilësore (ka nivelin më të ulët të kredive me probleme), por njëkohësisht është një produkt që mundëson rritjen afatgjatë të portoflit të kredisë dhe një shpërndarje të rrezikut.
Interesat e ulëta dhe fikse në vitet e para shtynë shumë familje të blejnë një shtëpi të tyren, duke u bërë një nga faktorët që mbështetën gjallërimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, për korrikun interesi mesatar i kredisë për shtëpi në lekë ishte 3.71%, ndërsa në euro 3.16%.
Në fund të korrikut, portofoli i kredisë për shtëpi të individëve arriti vlerën e 121.9 miliardë lekëve ose rreth 983 milionë eurove. Rritja vjetore është pranë nivelit 8%, një pikë përqindje më e lartë se rritja mesatare e portofolit të kredisë për ekonominë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.