Janë bërë 15 vjet nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë u bë më 17 Shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shteti i Kosovës tashmë është njohur nga 117 shtete, ku shteti i fundit i cili ka njohur pavarësinë është Izraeli.
Sot, 15 vite më parë, Kosova, shteti më i ri në Europë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.
15 vjet pas pavarësimit, Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha, të jashtme dhe të brendshme si papunësia, varfëria, jo stabiliteti energjetik, pagat e vogla, ikje të rinjve e profesionistëve nga vendi.
Ndër sfidat e jashtme Kosova vazhdon të përballet me diplomaci të brishtë që nga ardhja në pushtet e Qeverisë së Albin Kurtit, mungesë e njohjeve të reja, problemet me dialogun e si pasojë edhe ftohje e marrëdhënieve me partnerin më të madh strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në 15-vjetorin e shpalljes së shtetit, duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, prapa grilave gjenden edhe njerëzit që e shpallën shtetin e pavarur dhe luftuan për çlirimin e saj. Në Hagë duke pritur nisjen e procesit gjyqësor gjenden ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Tani, në 15-vjetorin e shpalljes shtet, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë të mbajtur për nder të 17 Shkurtit, tha se Pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës, dhe se pavarësia do të rritet vetëm përmes punës.
Kurti ka thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.
“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”.
Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe.
“Nëse në vendet tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre”.
Ai ka përmendur dy përgjegjësi, që sipas tij, duhet t’i ketë parasysh secili qytetar i Kosovës: trashëgiminë dhe krijimin e një vendi më të mirë për gjeneratat e reja.
“Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, dhe është fjala për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Europë, minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”.
Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar një fotografi nga ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë.
Sipër kësaj fotografie, Osmani ka shkruar se “Republika e Kosovës është e përjetshme”.
Përveç krerëve shtetëror, në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së shtetit, Kosova ka marr urime nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti italian, Sergio Mattarella.
Kurse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur mëngjesin sot me urimin për Kosovën.
Në llogarinë e tij në Facebook ai ka postuar një fotografi pikturë të një vajze të vogël që mban litarin e flamurit të shtetit të Kosovës i cili valëvitet në ajër.
“Mirëmëngjesi Gëzuar Pavarësinë”, ka shkuar Rama krah imazhit.
Kosova është nën trysni gjithnjë e më të madhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.
Në Kosovë, shtet me 1 milion e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët./ Nga Prishtina Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.