Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja antiCovid. Është vendosur kufizim i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit. Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online. Kurse, shërbimet e gastronomisë detyrohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masat të reja antiCOVID-19. Masat e reja janë ndalim qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00-05:00 përveç në rastet emergjente, ndalimi i aktiviteteve të gastronomisë përveç shërbimit “merr me vete” si dhe kalimi në formën online të mësimit për ciklin parauniversitar dhe universitar.
Në vendim thuhet se në institucionet publike dhe private detyrohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.
Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme)
“Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.
Por, mbyllja nuk po përkrahet as nga bizneset e as nga kryetarët e komunave.
Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka deklaruar se në takimin me Vitinë, ka kundërshtuar mbylljen, pasi sipas tij kjo nuk është zgjidhje.
Por, Rukiqi thotë se ministri i Shëndetësisë ka qenë i vendosur që të ketë mbyllje për 12 ditë, madje sipas tij, kjo është e padiskutueshme.
“Ne e kemi shprehur kundërshtimin tonë. Vazhdimisht kemi qenë kundër mbylljes, sepse kjo nuk është zgjidhje. Kemi propozuar kufizime në orar dhe zbatim më të mirë të masave aktuale. Ministri i Shëndetësisë ka qenë i vendosur që të ketë mbyllje për 12 ditë. Kemi propozuar që të ketë kufizime por jo mbyllje, por ky propozim nuk ka hasur në mirëkuptimin e ministrit të Shëndetësisë. Kemi kërkuar të na tregojë çka është e diskutueshme e çka jo, ideja e mbylljes ka qenë e padiskutueshme. Ministri ka qenë i shqetësuar se menaxhimi i pandemisë mund të dalë jashtë kontrollit, për shkak edhe të kapaciteteve në spitale, pra s’e ka lënë hapësirën të diskutohet fare pjesa e mbylljes”, ka deklaruar Rukiqi.
Kundër mbylljes kanë dalë edhe disa nga komunat e vendit.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka deklaruar se kjo mbyllje do ta dëmtojë rëndë ekonominë.
“Nuk e përkrah mbylljen, përkundër qëllimit të mirë shëndetësor, sepse kjo mbyllje do të dëmtojë rëndë ekonominë. Është po ashtu e padrejtë edhe ndaj komunitetit islam mbyllja dhe pamundësimi i aktiviteteve fetare në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit”, ka deklaruar Tahiri.
Edhe Komuna e Gjilanit ka kundërshtuar mbylljen e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 94,167 të infektuar. Prej tyre 1,926 kanë vdekur./ Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.