Kosovës pritet t’i shtohet një investitor i huaj, që ka peshën e investimit 45 milionë euro. Qeveria tashmë ka proceduar në Kuvend që ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’ – të jetë Investitor Strategjik.
Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvendin e Kosovës vendimin për shpalljen e kompanisë ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’ – Investitor Strategjik i Kosovës.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për konfirmimin e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për t’i proceduar Kuvendit të Kosovës të vendimin e Qeverisë Nr. 13/50 të datës 21 dhjetor 2020 për dhënien e Statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’”, thuhej në propozim-vendimin e qeverisë.
Propozimi është miratuar me shumicë të votave në mbledhjen e qeverisë.
Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.
Propozimi për shpalljen e kësaj kompanie “investitore strategjike” ishte realizuar për herë të parë në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës, në kohen kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
Kurse, gjatë vitit 2021, 485 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shuma prej 485.4 milionë euro e investuar në Kosovë ndahet në disa kategori.
Sipas aktivitetit ekonomik, del se pjesën dërrmueshëm më të madhe të saj e përbëjnë “Aktivitetet e patundshmërisë” me 335.7 milionë euro. Bëhet fjalë pra për blerje banesash dhe tokash si pronë private, e ku kryefjala janë mërgimtarët tanë.
Në vend të dytë kemi “Aktivitete financiare dhe të sigurisë” në vlerë prej 102.4 milionë eurosh.
Ndërsa i treti për nga vlera e investuar renditet sektori i “Informacion dhe komunikim”, me vlerë të papërfillshme prej 16.1 milionë eurosh. Kategoritë e tjera kanë vlerë investimi nën 10 milionë përgjatë një viti.
Ndryshe, ndër sektorët të cilët konsiderohen se mund të gjenerojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik, janë: sektori i prodhimit, bujqësisë, minierave, transportit dhe telekomunikacionit, industrisë përpunuese dhe turizmit, etj. Mirëpo në këta sektorë nuk ka investime dhe për këtë ministria e Tregtisë nuk ka pasur përgjigje deri në momentin që është botuar ky shkrim.
Këta sektorë ballafaqohen me vlera shumë të ulta të investimeve të huaja direkte në sektorin e prodhimit, e cila është vetëm 2.9 milionë euro dhe ajo e sektorit të bujqësisë, pylltarisë e peshkatarisë që arrin vetëm 1.1 milionë euro investime për vitin 2021.
Gjermania është lider i investimeve të huaja në Kosovës. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe diaspora më e madhe kosovare në Evropë. Vlera e investimeve të ardhura nga Gjermania ishte 139.5 milionë euro nga totali prej 485.4 milionësh. Pas saj renditet Zvicra me 88.7 milionë euro, e që është diaspora e dytë më e madhe kosovare në Evropë.
Sipas raportit të BQK-së, Austria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojnë në nivel thuajse të ngjashëm me vlerën e investimeve në Kosovë, me 51.2 milionë euro nga Austria dhe 51 milionë euro nga SHBA-të. Pas këtyre vijnë shtetet si Shqipëria me 39.5 milionë euro investime në Kosovë, Sllovenia me 23.2 milionë, Turqia me 13.6 milionë, dhe shtete e tjera me investime nën 10 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.