Importi i energjisë elektrike në qershor të vitit 2022 ishte 228.42 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 377.93 GWh. Prodhimi i qymyrit ishte rreth 5.92 mijë ton, ose 14.35% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Gjatë muajit qershor të këtij viti Kosova ka importuar 228.42 GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 377.93 GWh.
Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar Statistikat e Energjisë për muajin qershor 2022, me të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve tjerë.
“Në muajin qershor të vitit 2022, prodhimi bruto nga termocentralet i energjisë elektrike ishte 556.97 GWh, prodhimi bruto nga hidrocentralet e energjisë elektrike ishte 8.4 GWh dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo diellore e energjisë elektrike ishte 21.65 GWh”, njofton ASK.
Po ashtu, aty thuhet se konsumi mujor për këtë periudhë është 12 për qind më i vogël.
“Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 437.52 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 325.38 GWh ose 12.09 për qind më i vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 9.24 për qind”, theksohet tutje.
Kosova për këtë muaj ka eksportuar më shumë rryme se sa që është sjell nga vendet tjera.
“Importi i energjisë elektrike në qershor të vitit 2022 ishte 228.42 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 377.93 GWh”.
Në fund, ASK thotë se prodhimi i thëngjillit ishte rreth 5.92 mijë tonelata ose 14.35 për qind më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Humbjet komerciale, apo vjedhjet e energjisë elektrike, e kanë përcjellë Kosovën që nga përfundimi i luftës. Vetëm vitin e kaluar, humbjet nga vjedhja e rrymës kanë arritur në 110 milionë euro. Kompania shpërndarëse e rrymës, KEDS, po mundohet që t’i zvogëlojë shifrat, përmes investimeve në njehsorë digjitalë dhe vendosjes së njësive matëse nëpër shtylla elektrike.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi. Sipas ZRRE-së, Kosova vitin e kaluar ka importuar 1.311.461 megavat rrymë.
Sipas vlerësimeve të Institutit për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP), gjatë sezonit të dimrit, 75 për qind e konsumit të rrymës shpenzohet për ngrohje.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 50 për qind e sektorit të amvisërisë shfrytëzojnë biomasë (dru zjarri dhe pelet), kurse energjia elektrike më shumë shpenzohet nga sektori i biznesit dhe ai i shërbimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.