Ende pa kaluar mirë dy muaj që kur është lëshuar për qarkullim autostrada që lidh kryeqytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë, përkatësisht Prishtinën dhe Shkupin, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës paralajmërojnë se gjatë këtij viti pritet të nisë së ndërtuari edhe një autostradë tjetër. Autostrada e re pritet të lidhë qytetet Istog- Pejë – Deçan- Gjakovë dhe Prizren, andaj ndryshe njihet edhe si “Autostrada e Dukagjinit”. Kjo autostradë pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro.
Qeveria e Kosovës po synon të ndërtojë edhe një autostradë, në kohën kur nevoja për investimet në shëndetësi dhe arsim janë të mëdha.
“Autostrada e Dukagjinit”, që pritet të lidhë Istogun,Pejën, Deçanin, Gjakovën dhe Prizren, me një gjatës prej 91 kilometra ka një vlerë të parashikuar rreth 1 miliard euro. Ndërtimi i kësaj Autostrada ka ardhur nga Qeveria e Ramush Haradinajt.
Haradinaj është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila votat kryesore i ka në pesë komunat e Dukagjinit: Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog. E kjo do të jetë Autostrada e tretë në Kosovë. Presidenti aktual, Hashim Thaçi gjatë kohës sa ishte kryeministër i kishte nisur dy Autostrada: Prishtinë- Morinë (rruga e Kombit) dhe Prishtinë- Shkup (Autostrada Arbër Xhaferi).
Mirëpo, ndërtimi i “Autostradës së Dukagjinit”, nuk po pritet mirë në Kosovë. Kundër saj thuajse kanë dalë të gjitha subjektet politike dhe shoqëria civile.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e qytetarëve të Rahovecit, që po e kundërshtojnë trasenë e autostradës së Dukagjinit.
“Kjo trase i dëmton tokat bujqësore të klasit të parë, e dëmton rrjedhën e natyrshme të Drinit të Bardhë dhe e bllokon qasjen e banorëve në këtë lum, që është burim i jetës për rrafshin e Dukagjinit. Po ashtu, kjo trase llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro më e shtrenjtë”.
Siç ka bërë të ditur Avdullah Hoti, propozimi i tyre është që të ndiqet varianti i trasesë që kalon afër fshatit Gexhë, pastaj afër fshatit Sopniq, në mes të Fortesës dhe Bërnjakës, dhe kodrave përgjatë fshatrave Celinë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Piranë, Landovicë dhe lidhet me autostradën për Shqipëri në nyjën në veri të Prizrenit.
Edhe PDK kundër autostradës
Kjo autostradë e cila pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro, është kundërshtuar nga Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri. Tahiri, thotë se ndërtimi i kësaj autostrade është i panevojshëm.
“Duhet me pa përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit. Duhët të trëjtohën çështje qysh është arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit që janë tepër të rëndësishme për kualitetin e jetës së qytetarëve në Republikën e Kosovës”.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje po e kundërshton projektin e ndërtimit të autostradës së Dukagjinit. Deputeti i kësaj lëvizjeje, Liburn Aliu, në një konferencë për media ka thënë se kjo shumë prej një miliard eurosh do të ishte më mirë që të investohej në zhvillim ekonomik.
“Qytetarët e Rahovecit kanë vazhduar me aktivitete dhe peticion që ka kaluar me 5 mijë nënshkrime. Nuk mund të ndërtosh autostradë afër Drinit dhe t’ua shkatërrosh tokat”, ka deklaruar Aliu.
Sipas tij, qytetarët po ikin jashtë vendit, pasi që Kosova po përballet me ngecje në zhvillimin ekonomik. Për këtë ka reaguar Ministria e Infrastrukturës duke e arsyetuar variantin final të Autostradës së Dukagjinit.
Edhe publicistja, Flaka Surroi ka reaguar ndaj kostos së lartë të autostradës cila pritet të lidhë qytetet si Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë e Prizren.
Ajo, për këtë ka marrë një shembull të një autostrade e cila lidhë Rusinë me Bjellorusinë e që është e gjatë rreth 2 mijë kilometra e që pritet të kushtojë 8.3 miliard euro.
Për këtë, ajo ka thënë se për një kilometër autostradë, është planifikuar të shpenzohen rreth 4 milionë euro. Ndërsa, autostradën e Dukagjinit, autostradë kjo e cila pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro kur për një kilometër asfalt, që pritet të jetë e gjatë rreth 95 kilometra, janë planifikuar të shpenzohen rreth 10 milion euro.
“Rusia paska miratuar ndërtimin e një autostrade rreth 2.000 kilometrash, prej kufirit me Bjellorusinë deri te kufiri me Kazakistanin. Çmimi i planifikuar: 8,3 miliardë euro. Çmimi për kilometër: rreth 4 milionë Kosova po insiston ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit nja 95 kilometra te gjatë. Çmimi i planifikuar rreth 1 miliard euro. Çmimi për kilometër rreth 10 milionë. Kosova, ky thesar i pafund”.
Ata që e kritikojnë autostradën e Dukagjinit janë hileqarë
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ditë më parë në një paraqitje në publik ka thënë se ata të cilët e kritikojnë projektin për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit janë hileqarë dhe dihet të iu vijë marre.
Ai ka thënë se nëpërmjet këtij projekti, Komuna e Deçanit kthehet në hartën e ekonomike të Kosovës dhe të rajonit
“Kjo autostradë do t’i lidhë qytetarët me vendet e Evropës. Është mirë e ditur se një familjar, për të shkuar në arën e vet, prej Pejës në Prizren duhet ta shfrytëzojë këtë rrugë. Autostrada e Dukagjinit është tepër me rëndësi, ata që e kritikojnë një projekt të tillë janë hileqarë dhe duhet të iu vijë marre atyre që e kritikojnë këtë projekt”.
Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se në tetor pritet të filloj projekti më i madh kapital për rajonin e Dukagjinit.
Lekaj ka thënë se “Autostrada e Dukagjinit” pritet të jetë e gjatë 91 kilometër dhe do të përfshijë Istogun, Klinën, Pejën, Gjakovën, Deçanin, Suharekën, Rahovecin e Prizrenin.
“Projekti do të lidh zonat rurale dhe qytetet me korridoret pan evropiane. Kemi bërë një fizibilitet dhe ky projekt ka ndikim pozitiv në banorët e këtyre zonave, duke shtuar zhvillimin ekonomik e zhvillimin e turizmit”.
Ministri i Infrastrukturës ka thënë se do të vazhdohet edhe më tej me debate dhe do të vendoset me versionin përfundimtar.
“Nëse shkon gjithçka mirë sipas procedurave, mendojmë se në fillim të tetorit do të fillojnë punimet. Mendohet se projekti do të përfundoj për katër vite”. Lekaj ka thënë se kostoja e këtij projekti duke përfshirë edhe shpronësimet pritet të jetë rreth një miliardë euro.
Në gjithë territorin e Kosovës janë rreth 2045 kilometra rrugë, prej të cilave 95 për qind janë të asfaltuara. Vetëm nga viti 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, sipas të dhënave zyrtare, janë shtruar rreth 500 kilometra rrugë.
Nga këto 500 kilometra, rrugë nacionale dhe rajonale të asfaltuara që nga viti 2008 deri më 2017 janë 287.2 kilometra. Vetëm për tetë vjet janë ndërtuar 200 kilometra autostradë/.Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.