Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett kanë firmosur një marrëveshje të re për nxitjen e investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjellë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje, që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjellë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane, përmes një komunikate drejtuar mediave.
“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, tha John Jovanovic (Gjon Jovanoviq), zëvendës-nënkryetar i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun.
“Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovësˮ, shtoi Jovanovic.
Ndryshe, Ligji i SHBA-së kërkon që çdo shtet, përfshirë edhe Kosova, të lidhë marrëveshje për nxitjen e investimeve (IIA) me SHBA-në që DFC-ja të ofrojë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare, që përfshijnë financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante për ndihmë teknike.
“Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që Adam Boehler (Adam Boler), kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, ia bëri Kosovës në shtator. Gjatë asaj vizite, z. Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera”, thuhet në komunikatë.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, këtë marrëveshje e ka cilësuar si thellim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në.
“Marrëdhënia kryesore strategjike e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës thellohet edhe më tej sot me nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve, të cilën si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kemi propozuar dhe miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 7 tetor 2020. Kjo marrëveshje që u nënshkrua sot nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-ve, afirmon dëshirën e përbashkët për nxitjen e aktiviteteve shumë të nevojshme ekonomike amerikane në Republikën e Kosovës që promovojnë zhvillimin e burimeve dhe kapaciteteve ekonomike të Republikës së Kosovës, rrisin punësimin, prosperitin e mirëqenien për qytetarët e Kosovës”.
Haradinaj ka shkruar se gjithashtu marrëveshja mundëson konkretizimin e zotimeve për projekte ekonomike të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërmarra në Marrëveshjen e datës 4 Shtator 2020 në Washington D.C.
Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler ia bëri Kosovës në shtator.
Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.
E lansuar në 2020-në, DFC-ja bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë.
DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj iu përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.