Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për “Autostradën e Paqes”

15/09/2020 10:15 PM 0 komente

Kosova dhe Serbia kanë vazhduar që të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi edhe gjatë ditës së martë. Këto dy shtete tashmë kanë vënë nënshkrimet në Letrat e Interesit, për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Shtëpi të Bardhë.

 

Pas marrëveshjes së nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator, gjatë ditës së sotme janë nënshkruar edhe Letrat e Interesit, për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Shtëpi të Bardhë.

Këto letra janë nënshkruar nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit në SHBA, AdamBoehler dhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit, KimberlyReed, për financimin e projektit që parashihet të lidhë Nishin dhe Prishtinën.

Boehler tha se ky projekt do të jetë simbol i marrëdhënies së re mes Kosovës e Serbisë.

“Autostrada e Paqes do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin dhe Prishtinën. Ai do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis këtyre vendeve fqinje”, tha Boehler.

Ai po ashtu shtoi se “DFC, në partneritet me EXIM, është angazhuar për avancimin e këtij procesi paqësor duke investuar në projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet”.

Ndërsa, kryetari i Bankës së Eksport-Importit, KimberlyReed u shpreh se projekti në fjalë është hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Autostrada e Paqes është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë përgëzoj punën e Presidentit Trump dhe të gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike,” tha në anën tjetër Reed.

Është bërë e ditur po ashtu se këto dy institucione në fund të këtij muaji planifikojnë të dërgojnë delegacione në Beograd dhe Prishtinë për të çuar përpara punën në Autostradën e Paqes dhe projekte të tjera.

Gjatë ditës së sotme presidenti i SHBA-së, DonaldTrump, e ka quajtur të jashtëzakonshëm guximin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, AleksandarVuçiq, për të shkuar më 4 shtator në Washington për ta nënshkruar marrëveshjen e arritur.

Në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit së fundi është publikuar një citat i Trump, ku shprehet se Hoti dhe Vuçiç e kanë bërë botën më të sigurt me veprimin e tyre – nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik.

“Është dashur guxim i jashtëzakonshëm nga Presidenti i Serbisë, Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Hoti për të nisur këto bisedime dhe për të ardhur në Washington për ta finalizuar këtë angazhim. Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt. Është vërtetë ditë historike. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizim ekonomik”.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington, kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik.

Marrëveshja është nënshkruar në prani të presidentit amerikan, DonaldTrump.

Pas takimit në Washington, Hoti dhe Vuçiq janë takuar më 7 shtator në Bruksel, ku kanë njoftuar se kanë hapur diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për çështjet pronësore dhe financiare./Fatos Shala

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of