Kosova dhe Shqipëria, “binjake” në dobësitë e modelit ekonomik

09/01/2021 10:10 PM 0 komente

Ekonomia e Kosovës shfaq dobësi strukturore të ngjashme me ato të Shqipërisë. Ajo është një ekonomi e mbështetur kryesisht te konsumi i mallrave të importit, ndërsa bujqësia dhe industria në përgjithësi shfaqin një shkallë të ulët zhvillimi dhe konkurrueshmërie

 

 

Nga Ersuin Shehu

Në dekadën e fundit, Kosova është shfaqur si ekonomia më pak e ndikuar nga kriza në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Viti 2019 nuk bëri përjashtim nga kjo tendencë. Mbështetur në vlerësimet tremujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2019 ishte 4.94%. Kjo ishte rritja më e lartë ekonomike e regjistruar në rajonin tonë.

Vlera nominale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Kosovës arriti në 7.1 miliardë euro, ndërsa PBB-ja për frymë ishte 3,986 euro. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike në vitin 2019 ishte kryesisht rezultat i rritjes së aktivitetit në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese dhe nxjerrëse, energjisë, i ndërtimit dhe ai i tregtisë.

Sipas komponentëve të kërkesës agregate, rritja e aktivitetit ekonomik është gjeneruar sidomos nga rritja e investimeve, me 6.8%. Kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve vlerësohet të ketë pasur rritja me 10% e kreditimit nga sektori bankar.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve, në terma realë, u rritën me 10%, ndërkohë që importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4.2%. Në vitin 2019, përshpejtimi i rritjes së çmimeve të importit solli edhe rritje më të lartë të çmimeve të konsumit në ekonominë e Kosovës. Norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2.7%, nga 1.1% që ishte në vitin 2018.

Pavarësisht nga ritmet relativisht të larta të rritjes ekonomike në vitet e fundit, ekonomia e Kosovës vazhdon të vuajë nivele mjaft të larta të papunësisë. Për vitin 2019, papunësia mesatare ishte në nivelin 25.7%, 3.9 pikë%je më e ulët krahasuar me vitin 2018.

Të dhënat e fundit të disponueshme nga ASK i takojnë tremujorit të parë të vitit dhe papunësia pësoi ulje të mëtejshme, në nivelin 25%. Pas tremujorit të dytë, papunësia vlerësohet të ketë pësuar rritje të ndjeshme, për shkak se aktiviteti i sipërmarrjes u prek nga masat kufizuese.

Edhe për shkak të historisë së re si shtet i pavarur, Kosova ka një borxh publik në nivele shumë më të ulëta krahasuar me ekonomitë e tjera. Në fund të vitit 2019, borxhi publik ishte sa 17.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rritje të lehtë nga niveli 16.9% i vitit 2018.

 

BURIMI: ASK

 

Ekonomia dominohet nga tregtia dhe shërbimet

Struktura e ekonomisë së Kosovës dominohet nga tregtia dhe shërbimet. Të dhënat nga ASK tregojnë se sektori i tregtisë, përfshi këtu shërbimet e transportit, hotelerisë dhe restoranteve, për vitin 2019 ishte kontribuuesi kryesor në prodhimin kombëtar të vendit, me 1.32 miliardë euro (të matura me çmime korrente). Kjo shumë është sa 18.6% e PBB-së ose 23.1% të Vlerës së Shtuar Bruto (duke përjashtuar taksat neto) në ekonominë e Kosovës.

Sektori i industrive, për energjinë, ujin, industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese, për vitin 2019 solli një prodhim total 1.25 miliardë euro, shumë kjo sa 17.6% e PBB-së ose 21.8% e vlerës së shtuar bruto në ekonomi. Industria përpunuese në veçanti gjeneroi një prodhim në vlerën e 816.5 milionë eurove, shumë kjo sa 11.5% e PBB-së dhe 14.3% e Vlerës së Shtuar Bruto.

Sektori i tretë, për nga madhësia, është administrimi publik, me një volum vjetor prej 940.5 milionë eurosh. Kjo shumë përbën 13.3% të PBB-së dhe 16.4% të Vlerës së Shtuar. Ndërtimi është sektori i katërt për nga pesha në ekonominë e Kosovës. Për vitin 2019, ai gjeneroi një volum prej 633.2 milionë eurosh, shumë sa 8.9% e PBB-së dhe 11.1% e vlerës së shtuar.

Bujqësia në Kosovë mbetet një sektor i nënzhvilluar, edhe më tepër se në Shqipëri. Për vitin 2019, prodhimi i sektorit bujqësor ishte vetëm 489.3 milionë euro, sa 6.9% e PBB-së dhe 8.6% e vlerës së shtuar. Në një ndarje të përgjithshme të strukturës së PBB-së në Kosovë, shërbimet përbëjnë 47.4% të PBB-së dhe 58.6% të Vlerës së Shtuar Bruto në ekonomi. Sektorët prodhues, të marrë së bashku, përbëjnë 33.5% të PBB-së ose 41.4% të Vlerës së Shtuar Bruto.

 

BURIMI: ASK

 

Të përbashkëtat dhe ndryshimet me Shqipërinë

Pavarësisht ritmeve relativisht të larta të rritjes krahasuar me vendet e rajonit, edhe ekonomia e Kosovës shfaq dobësi strukturore të ngjashme me ato të Shqipërisë. Ajo është një ekonomi e mbështetur kryesisht te konsumi i mallrave të importit, ndërsa bujqësia dhe industria në përgjithësi shfaqin një shkallë të ulët zhvillimi dhe konkurrueshmërie.

Lista e bizneseve më të mëdha në Kosovë, në një linjë të përgjithshme e reflekton strukturën e ekonomisë. Ajo dominohet kryesisht nga bizneset e tregtisë dhe shërbimeve, ndërsa aktivitetet prodhuese janë të pakta. Me përjashtim të kompanive të shërbimeve utilitare të energjisë, pjesa tjetër e listës përbëhet sidomos nga kompanitë e distribucionit dhe tregtisë me shumicë dhe pakicë të mallrave të konsumit, si dhe nga kompanitë e karburanteve si degë e veçantë në sektorin dominues të importit dhe distribucionit.

Industritë prodhuese në Kosovë janë të përqendruara kryesisht në shfrytëzimin e burimeve të pakta natyrore, sidomos mineralet metalore dhe në industrinë ushqimore, ku ndërmarrjet më të mëdha i takojnë prodhimit të pijeve.

Një element ku Kosova ndryshon nga Shqipëria është mungesa e koncesioneve masive në ekonomi. Ndër 50 bizneset më të mëdha në Kosovë, të vetmet koncesione janë ato që lidhen me shfrytëzimin e ferro-nikelit dhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Me gjithë dobësitë e modelit ekonomik, së paku ky mund të quhet një avantazh i Kosovës në raport me Shqipërinë. Në Shqipëri, koncesionet dhe PPP-të përgjithësisht kanë prodhuar monopole, me të ardhura të sigurta dhe norma tejet të larta fitimi, në kurriz të konsumatorëve shqiptarë.

Një tjetër diferencë e dukshme e Kosovës me Shqipërinë është mungesa e firmave të ndërtimit mes bizneseve më të mëdha. Subjekti më i madh në këtë sektor, për vitin 2019, ishte konsorciumi “Bechtel Enka”, i angazhuar në ndërtimin e autostradave. Në listën e kompanive më të mëdha nuk rezultojnë firma të aktivitetit të ndërtimeve rezidenciale.

Në fakt, edhe në Kosovë, sektori i ndërtimit ka peshë të konsiderueshme në ekonomi, sa rreth 9% e PBB-së, deri tani ky sektor në Kosovë nuk ka aktorë të përmasave shumë të mëdha, të paktën në raport me Shqipërinë.

 

Remitancat mbështesin konsumin dhe mbushin gropën e deficitit tregtar

Kosova është një ekonomi me varësi të lartë nga importi i mallrave dhe me deficit të lartë tregtar. Për vitin 2019, deficiti tregtar i vendit arriti vlerën më të lartë të dekadës së fundit, duke kaluar tavanin e 3 miliardë eurove. Deficiti tregtar në vlerën e 3.1 miliardë eurove përbën rreth 40% të PBB-së së vendit.

 

BURIMI: ASK

 

Ky deficit mbulohet prej të ardhurave nga shërbimet, Investimet e Huaja Direkte dhe sidomos nga niveli i lartë i remitancave. Dërgesat e emigrantëve janë një burim shumë i rëndësishëm për mbështetjen e konsumit dhe ngushtimin e deficitit të jashtëm të ekonomisë së Kosovës. Vitin e kaluar, në Kosovë hynë rreth 852 milionë euro remitanca, niveli më i lartë i regjistruar në të paktën 15 vitet e fundit.

Për një ekonomi me përmasat e Kosovës, kjo është një shumë mjaft e madhe dhe vitin e kaluar, remitancat përbënin 12% të PBB-së. Këto flukse mund të shpjegojnë, në një masë të madhe, faktin pse Kosova ka ritme relativisht të larta të rritjes ekonomike dhe njëkohësisht papunësi të lartë.

 

BURIMI: ASK

 

Kriza pritet ta tkurrë ekonominë me 6.7% në vitin 2020

Pandemia e COVID-19, këtë vit, ka sjellë përmbysje negative edhe në ekonominë e Kosovës.  Megjithëse vjen nga një periudhë ekonomike me rritje relativisht të lartë, as Kosova nuk mund t’u shpëtojë efekteve të rënda të krizës së lidhur me pandeminë e COVID-19.

Për vitin 2020, parashikimet e Ministrisë së Financave të Kosovës sugjerojnë se ekonomia do të pësojë rënie me rreth 6.7%. Parashikimi mbështetet në rënien e konsumit dhe aktivitetit të përgjithshëm ekonomik, si rezultat i masave kufizuese, në rritjen e rreziqeve nga ekonomia e jashtme dhe në rënien e flukseve tregtare dhe korrente nga jashtë.

Kushtet e përkeqësuara janë të prekshme në të dhënat e deritanishme të vitit 2020. Ndërsa ekonomia e Kosovës pati rezistuar në rritje pozitive me 1.29% në tremujorin e parë, për tremujorin e dytë, të dhënat nga ASK treguan rënie të fortë me 9.28% me bazë vjetore.

Sipas projeksioneve të Bankës Qendrore të Kosovës, konsumi si përbërësi kryesor i kërkesës së brendshme, pritet të shënojë rënie reale prej 2.9%, bazuar në pritjet që konsumi i sektorit privat do të ulet me 3% dhe konsumi publik me 2.5%.

Edhe remitancat, si një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit, pritet të shënojnë rënie, me rreth 4.7%. Rënia e remitancave pritet të ndodhë për shkak të tkurrjes së aktivitetit ekonomik në vendet kryesore ku janë lokalizuar emigrantët, si dhe kufizimit të lëvizjes.

Investimet priten të shënojnë rënie reale prej 12.1%, përkatësisht investimet private, me 9% dhe të investimeve publike, me 22.1%. Ngadalësimi i prodhimit, si rezultat i vështirësive në furnizim, si dhe kufizimit të lëvizjes, do të ndikojnë që kostot e të bërit biznes të jenë më të larta, ndërkohë që mund të ketë edhe shtrëngim të kreditimit. Gjithashtu, Investimet e Huaja Direkte pritet të shënojnë rënie, me 10.1%.

Eksporti i mallrave dhe shërbimeve pritet të shënojë rënie reale prej rreth 13.7%, me eksportin e mallrave që pritet të shënojë rënie me 12.1% dhe eksportin e shërbimeve që pritet të shënojë rënie me 14.1%. Parashikimet për rënie të eksportit të mallrave mbështeten në faktin se kërkesa e jashtme dhe çmimet në tregjet ndërkombëtare (kryesisht

çmimet e metaleve) janë duke shënuar rënie, ndërkohë që shumë biznese gjithashtu janë detyruar ta ndërpresin prodhimin, ose të punojnë me kapacitete të reduktuara. Sa i përket eksportit të shërbimeve, rënia pritet të jetë tek eksporti i shërbimeve të udhëtimit, kryesisht shpenzimet e emigrantëve gjatë qëndrimit në Kosovë dhe shërbimet e transportit, për shkak të mbylljes së kufijve.

Importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të shënojë rënie prej 7.9% në terma realë, me importin e mallrave që pritet të jetë më i ulët për 6.1%, ndërsa importi i shërbimeve pritet të shënojë rënie prej 16.4%. Rënia e kërkesës së përgjithshme në vend, si dhe rënia e çmimeve të importit (veçanërisht çmimeve të naftës), pritet të rezultojë në nivel më të ulët të importit të mallrave.

Si rezultat i kësaj rënie të konsiderueshme, sidomos të importit të mallrave, pritet që deficitit tregtar të jetë më i ulët. Për vitin 2020, parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës e vendosin inflacionin mesatar vjetor pranë nivelit të 0.8%. Megjithatë, qeveria e Kosovës është optimiste se ekonomia do t’i kthehet rritjes në vitin 2021, me 5.2%.

Edhe për Kosovën, kriza e COVID-19 ka sjellë, në mënyrë të pashmangshme, rritje të ngarkesës së borxhit, për shkak të rritjes së deficitit buxhetor, por edhe rënies së prodhimit kombëtar. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, në fund të muajit shtator 2020, borxhi publik i Kosovës u rrit në 19.87% të PBB-së.

 

INTERVISTA

 

Kosova nuk ka një model ekonomik të përcaktuar 

 

Intervistë me Lekë Musa, ish-kryetar i Odës Ekonomike Amerikane

 

Ish-kryetari i Odës Ekonomike Amerikane dhe eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, ka folur për “Monitor” lidhur me problemet e kompanive dhe bizneseve në Kosovë.

Ai ka thënë se në Kosovë, modeli ekonomik nuk ekziston si një model i paracaktuar nga qeveria. Musa thotë se ndikimi i COVID-it në ekonomi do të jetë shumë i madh, dhe shpreson se pas pandemisë, rimëkëmbja të ndodhë shpejt.

 

A ofron, sipas jush, Kosova hapësirë dhe kushte të mjaftueshme për bizneset dhe kompanitë, dhe me çfarë problemesh përballen ato më së shumti?

Kosova ofron hapësirë të mjaftueshme, kryesisht për shkak të dinamizmit të saj si shoqëri. Dinamizmi vjen nga burimet njerëzore dhe ato natyrore që disponon dhe, mbi të gjitha komunikimit të jashtëzakonshëm të cilën e kemi si shoqëri me diasporën tonë jashtë. Ky element i fundit është një pasuri e veçantë, të cilën po ditëm ta shfrytëzojmë, do të jetë një shtytës i jashtëzakonshëm për vendin.

 

A e ka Kosova modelin ekonomik të mirë dhe çfarë duhet të ndryshojë?

Modeli ekonomik nuk ekziston si një model i paracaktuar nga qeveria. Zhvillimi ekonomik në Kosovë është “ad hoc” apo zhvillimin nga vetë ndërmarrjet dhe atyre që parapëlqejnë të hyjnë në biznes. Modeli ekonomik ekziston vetëm për ndërmarrjet të cilat kanë zgjedhur të bëjnë biznes me sektor publikë dhe ato janë biznese të varura drejtpërsëdrejti nga politika. Pra, aty kemi një model.

 

Cilët janë, sipas jush, sektorët që mbështesin më së shumti rritjen e ekonomisë dhe punësimit në Kosovë?

Rritja ekonomike vjen nga sektorët e shërbimeve. Aty është dinamizmi, është industria e HORECA, pastaj janë shërbimet e tjera si mbështetës të këtij sektori, sektori i eksportit të shërbimeve. Është një varg i ndërmarrjeve të vogla dhe mikro, që janë sektori kryesor i rritjes ekonomike, të cilat do të vazhdojnë të jenë kyç për ekonominë.

 

Prej disa muajsh jemi duke u përballur me pandeminë e COVID-19. Sipas jush, sa e ka dëmtuar ekonominë e Kosovës kjo situatë?

Meqenëse këto ndërmarrje, të cilat i përmenda, janë faktori themelor për zhvillimin e ekonomisë së bashku me diasporën, atëherë edhe ndikimi i COVID-it në ekonomi do të jetë i madh. Sepse kjo ka gjeneruar edhe shumë vende pune. Sektori është ende duke u përforcuar është ndërtimi i cili nuk e di, sinqerisht, se ku e ka bazën e kërkesës. Shpresoj të mos jetë një “flluskë”, e cila mund të krijojë një depresion më të madh për vendin.

 

Sa do t’i duhet Kosovës dhe ekonomisë së vendit që të kthehet në gjendje normale?

Besoj se në momentin kur do t’i kthehemi normalitetit, ekonomia jonë, meqenëse nuk ka një investim në industrinë e rëndë, e cila kërkon investim afatgjatë, do ta ketë më të lehtë rimëkëmbjen. Sepse ndërmarrjet e vogla, edhe pse shuhen shpejt, mund të transformohen shpejt, por edhe të rihapen shumë më shpejt se industritë e rënda.

 

Intervistoi: Fatos Shala

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of