Kosova dhe Shqipëria do të përdorin një platformë të përbashkët dixhitale të arsimit para universitar për vijimin e mësimit në kushte pandemie. Kjo platformë do të jetë elektronike, ku gjenden të gjitha videot e xhiruara nga mësimdhënësit e të dyja shteteve.
Ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë kanë prezantuar Platformën e përbashkët dixhitale të arsimit parauniversitar
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, në ambientet e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë kanë bërë prezantimin e Platformës se përbashkët dixhitale të arsimit parauniversitar të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri Likaj theksoi se, kjo Platformë për mësim në distancë është në vazhdën e një bashkëpunimi shumëvjeçar dhe të shkëlqyeshëm, të cilin e kanë Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
“Ministria e Arsimit e Shqipërisë ia dhuron falas Ministrisë së Arsimit të Kosovës Platformën për mësimin në distancë, por njëkohësisht edhe MASh do të vë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë platformat e saj”, ka treguar Likaj.
Me këtë rast, ministri Likaj ka ftuar prindërit dhe mësimdhënësit që t’i udhëzojnë fëmijët që të kujdesen për shëndetin e tyre, të mësuesve, familjarëve të tyre dhe për shëndetin e përgjithshëm.
Ndërsa, ministrja Besa Shahini shprehu besimin e saj se, pas përgatitjeve të cilat janë bërë dhe duke zbatuar në mënyrën më të mirë masat mbrojtëse, do të arrijnë të fillojnë një vit të mbarë shkollor.
Ministrja Shahini, po ashtu theksoi se, kthimi i nxënësve në bankat shkollore është me interes të lartë kombëtar.
Ndër të tjera, të dy ministrat biseduan edhe për konkretizimin e marrëveshjeve të tjera në të mirë të ngritjes së cilësisë së arsimit të dy vendeve, ndërkaq të gjithë nxënësve në Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë iu uruan një vit të mbarë shkollor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.