Kosova dhe Shqipëria takohen këtë muaj, pritet të nënshkruhen tri marrëveshje

11/09/2020 10:23 AM 0 komente

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen brenda këtij muaji në Shkodër. Ende nuk dihet data e saktë e këtij takimi. Deri më tani dihet se dy shtetet do të nënshkruajnë tri marrëveshje të përbashkëta; Dogana e Kosovës në Durrës, Hidrocentrali dhe Linja Hekurudhore. Tradita e mbledhjeve të përbashkëta, mes Kosovës dhe Shqipërisë që ka nisur në vitin 2014, do të vazhdojë edhe këtë vit.

 

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen gjatë këtij muaji në Shkodër. Ende nuk dihet data e saktë e kësaj mbledhje. Është raportuar se mund të ndodhw në pjesën e dytë të këtij muaji.

Ajo që dihet deri më tani është se në këtë mbledhje do të nënshkruhen marrëveshje të reja dhe do të diskutohet për avancimin e zbatimit të marrëveshje të kaluara.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh edhe koordinatore për mbledhjet e dy qeverive, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se marrëveshjet do të jenë në interes të dy palëve.

“Do të ketë marrëveshje të cilat janë në interes të dy palëve. Ato të cilat janë pak më gjigante se të tjerat janë Dogana e Kosovës, linja hekurudhore dhe po ashtu hidrocentrali që mund të ndërtohet në Shqipëri, e që do të jetë funksional për Kosovën. Pos këtyre do të ketë edhe marrëveshje të tjera, tashmë ministritë kanë filluar të dorëzojnë draft-marrëveshjet”.

Zëvendëskryeministrja, ditë më parë, ka treguar se mbledhja e përbashkët mes dy qeverive mund të mbahet në pjesën e dytë të muajit shtator.

“Ne kemi filluar me takime të cilat do ta organizojnë mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy Qeverive, e cila pritet të mbahet në pjesën e dytë të shtatorit”.

Balaj-Halimaj ka folur edhe për marrëveshjet e nënshkruara vite më parë, si dhe zbatimin e tyre. Ajo ka thënë se ka pajtueshmëri mes dy palëve që të shtyhen përpara marrëveshjet e arritura, e të cilat kanë ngecur në zbatim.

Sipas saj, në takimin e ardhshëm do të ketë edhe plotësim të disa marrëveshjeve të kaluara.

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në shtator në Shkodër e ka paralajmëruar një muaj më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë e lidhur me COVID-in të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit”, ka thënë Rama.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka theksuar se ka ardhur koha për veprime praktike krahas mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta.

“Tanimë është bërë një praktikë bashkëpunimi ynë, i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Unë besoj që tash duhet të kalojmë në terma shumë praktikë të bashkëpunimit tonë të përditshëm”, ka deklaruar Hoti gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë.

Paraardhësi i Hotit, ish-kryeministri Albin Kurti, ka pohuar se midis Shqipërisë e Kosovës janë nënshkruar 77 marrëveshje, por asnjëra prej tyre nuk ka gjetur zbatim.

Në kuadër të përgatitjeve për këtë mbledhje, qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Deri më tani, Kosova ka nënshkruar 16 marrëveshje me vende të ndryshme për eliminimin e tatimit të dyfishtë.

Ndër to, Kosova ka marrëveshje edhe të vitit 2014 me Shqipërinë mirëpo gjatë zbatimit është parë se ka disa pengesa dhe disa nene janë pengesë për zbatimin e tyre.

Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë ku u patën nënshkruar një sërë marrëveshjesh.

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.

Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of