Edhe pse Republika e Kosovës është po thuajse i vetmi shtet i izoluar nga Evropa, nga sot me rastin e Ditës së Evropës, Ministria e Integrimit Evropian, do të zhvilloj aktivitete të ndryshme në Prishtinë për të shënuar ketë ditë. Për nder të kësaj ditë Ministria e Integrimit Evropian, do të zhvilloj një tryezë diskutimi me temë diskutimi: Potenciali i Rinisë së Kosovës drejt BE-së. Nuk do të mungojnë as shpenzimi i mijëra eurove.
Derisa qytetarët e Kosovës presin për termine para ambasadave të huaja për të marrë një vizë dhe për të ikur nga Kosova, ministrja e Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, ka vendosur që të jep para për të festuar 9 Majin, Ditën e Evropës.
Për të festuar këtë ditë, kjo ministri si për çdo vit edhe këtë herë do të shpenzojë hiç më pak se 9 mijë euro nga buxheti i shtetit më të varfër në rajon.
Në bazë të njoftimit të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, në këtë tender kishin dorëzuar ofertat e tyre dy kompani. Në fund, fituese është shpallur “VM3 SH.P.K.”
Kontrata është dhënë më 15 prill të këtij viti.
Me 8.224,60 euro, kjo kompani do të bëjë dizajnimin e banerave, modifikimin dhe shtypjen e tyre në bazë të kërkesave të Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
Veç kësaj do të bëhen edhe Roll-Up-Baner, maica të dizajnuara me logo dhe me ngjyrë të kaltër e të bardhë.
Sipas dosjes së tenderit duhet të jenë 200 maica me paramasa për fëmijët e moshave 2 deri në 10 vjet, si dhe 300 tjera për të rriturit e moshave 15 deri në 30 vjet. Po ashtu, edhe 300 rrethe dore nga goma do të shpërndahen për këtë ditë.
Ministria e Integrimeve Evropiane, është siguruar që aktivitetet të cilat do të zhvillohen për Ditën e Evropës të shpërndahen edhe në rrjetet sociale, madje duke u bërë boosting.
Nisin aktivitete për Ditën e Evropës
E nga sot me rastin e Ditës së Evropës, Ministria e Integrimit Evropian, do të zhvilloj aktivitete të ndryshme në Prishtinë për të shënuar ketë ditë.
Për nder të kësaj ditë Ministria e Integrimit Evropian, do të zhvilloj një tryezë diskutimi me temë diskutimi: Potenciali i Rinisë së Kosovës drejt BE-së.
Pjesëmarrës në aktivitetet janë: Ministrja Dhurata Hoxha, shefja e zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova, Behije Murtezi, Hana Qerimi, Zana Hoxha.
Aktivet tjetër për nder të kësaj dite është shpalosja e programit te ngjarjeve për Ditën e Evropës dhe shpallja e konkursit të fushatës ekonomike nga zëvendës Shef i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri.
Edhe Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova organizon hapjen zyrtare te Shtëpisë së Evropës në Prishtinë në të cilën do të hapet një ekspozitë fotografike ‘Perspektiva e ndryshme’ nga Agon Nimani dhe ekspozita e Qeramikës ‘Flakërim i dashurisë’ nga Gresa Islami.
Kosova edhe ketë vit rrezikon të mbetet e privuar nga udhëtimi pa viza. Hapja e portës së Evropës po vonon për rininë kosovare, por ajo nuk i ka humbur shpresat dhe ka ndërmarrë nisma për ta sjellë Evropën sa më pranë në Kosovë.
Mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian padyshim që ka reflektuar në lënien e Kosovës si vendin e vetëm të izoluar deri më tani në këtë proces.
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.