Qytetarët e Kosovës nuk do t’i paguajnë 15 eurot e policës kufitare nga 1 korriku kur të hyjnë në Malin e Zi.
Të liruar nga kjo pagesë, do të jenë edhe malazezët kur të vijnë në Kosovë. Kjo u mundësua falë memorandumit të mirëkuptimit, që u nënshkrua mes byrove të Sigurimit të dy vendeve.
Nga 1 korriku, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Mal të Zi, pa e paguar taksën në vlerë prej 15 eurosh.
Kështu ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, duke dhënë detaje të mëtutjeshme.
“Që nga 1 korriku, qytetarët e Kosovës në Mal të Zi mund të shkojnë pa paguar sigurim për automjete. Qytetarët e Malit të Zi do të shkojnë në Kosovë, me automjetet e tyre, me Karton të Gjelbër valid, dhe qytetarët e Kosovës do të hyjnë në Malin e Zi me automjetet e tyre me sigurim plus të Kosovës. Lajm i mrekullueshëm për sezonin e ardhshëm turistik!” ka shkruar Rexhepi.
Kurse, ditë me parë në Podgoricë është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e sigurimit kufitar në mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi Boris Saban.
Kjo marrëveshje ka të bëjë me njohjen reciproke të certifikatës së sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella, në Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi.
Me nënshkrimin e MoU-së në fjalë, drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid, ndërsa në anën tjetër drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.
Sami Mazreku, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ka thënë që kjo konsiderohet si një marrëveshje “e madhe dhe historike”.
“Javën e kaluar (24 qershor), kemi nënshkruar një marrëveshje mes nesh si Byro Kosovare, Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo marrëveshje, do të hyjë në fuqi me datën 1 korrik dhe të gjitha polisat që do të lëshohen në pikat kufitare në kohëzgjatje njëmujore, do të mbulohen nga qeveria e Kosovës nga Ministria e Financave dhe përfundon 31 dhjetor”.
Mazreku ka thënë që kjo marrëveshje për shkak të disa çështjeve teknike, do të hyjë në fuqi nga data 1 korrik.
“Qytetarët që lëvizin nga Kosova në Malin e Zi, do ta kenë Kartonin e Gjelbër që e marrin për Maqedoni dhe Serbi dhe e njëjta do t’i vlejë edhe për territorin e Malit të Zi, pa pasë nevojë të paguajnë çmim shtesë. Ajo që është me rendësi është që me homologun malazez jemi pajtuar që çdo Karton i Gjelbër i Kosovës, që lëshohet deri më datën 30 qershor do të vlejë deri në skadim të afatit. Kjo pasi e dimë që aktualisht që ka qytetarë që udhëtojnë në Mal të Zi dhe nuk i vlen ajo dhe nga data 1 korrik, do t’i vlejë ai karton”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.