Projekti më i madh për vitin 2014 në fushën e energjetikës do të jetë ndërtimi i Termocentralit ”Kosova e Re”, ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili. Sipas tij, kah mesi i këtij vitit pritet të arrijnë ofertat nga tre konsorciumet e parakualifikuara. Dy konsorciume tashmë edhe me shkrim kanë shprehur interesin për të vazhduar garën për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ka thënë ministri Ismajli duke mos i bërë të ditur emrat e tyre. Në këtë drejtim, ndërmjet muajit mars e prill, ministri tha se do të hapet kërkesa për ofertë: “Dhe në bazë të një diagrami kohor i cili është miratuar bashkë me këshilltarin e transaksionit ne presim që ofertat të na arrijnë në fund të qershorit , në fillim të korrikut”, tha ministri Ismajli.
Për ministrin është jashtëzakonisht e rëndësishme se paketa e Kosovës së Re përmban në vete vetëm ndërtimin e Termocentralit: ”Nuk është më aty as ”Kosova B”, as mihja, që ishte elementi kryesor dhe me këtë besoj se jemi pajtuar edhe me shoqërinë civile se nxjerrja e mihjes prek paketës është një kualitet i ri për ne është një mundësi e zhvillimit të mëtejshëm edhe të konkurrencës në segmentin e gjeneratorëve të mundshëm që do të vinë dhe atyre që janë ekzistues”, tha Ismajli. Me përfundimin e linjës interkonektive dhe të projektit të Termocentralit Kosova e Re, sipas ministrit Ismaili definitivisht sigurohet bazë e mirëfilltë për zhvillim jo vetëm të sektorit të energjisë por edhe të tërheqjes së investimeve të huaja direkte.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.