Kosova dhe Serbia kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen në Bruksel, lidhur me çështjen e energjetikës. Kështu ka njoftuar përmes një postimi në Twitter, i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në Bruksel është arritur marrëveshja për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Këtë e ka konfirmuar në një postim në Twitter, i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Për arritjen e marrëveshjes të martën ka shkruar edhe Besnik Bislimi në një postim në Twitter.
“Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.
Në kuadër të kësaj marrëveshje janë nëntë pika gjithsej, ku ndër të tjerash është bërë e ditur se do të faturohet edhe shpenzimi i energjisë elektrike për serbët në veri.
“Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë së Kosovës, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjen për Detyrimn e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.”, thuhet në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.
Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.
Gjatë takimeve të sotme u arrit pajtueshmëri edhe për zbatimin e marrëveshjes për energji, ndërsa pritet që palët të dakordohen edhe rreth përgatitjeve për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Fillimisht, të martën, janë zhvilluar takime bilaterale të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak, me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë Lajçaku ka pasur edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015.
Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Po ashtu raportet mes këtij rajoni dhe BE-së, si dhe procesi i zgjerimit, do të jenë tema edhe të Këshillit Europian që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Pikërisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një prej sfidave më të mëdha për rolin e Bashkimit Evropian në rajon.
Deri më tash në BE nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e dialogut dhe tash kërkojnë që sa më parë të ketë progres konkret që do të çonte deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë përparim në realizimin e aspiratave evropiane.
Arritja e marrëveshjeve gjatë ditës së sotme ndihmon në krijimin e rrethanave për takim në nivel të lartë dhe për avancim të dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thonë diplomatët në BE.
Mungesa e gatishmërisë nga ana e palëve për marrëveshje deri më tash është përmendur nga BE-ja si arsye pse nuk është thirrur ndonjë takim i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Me përjashtim të një takimi të tyre në Berlin Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut nuk janë takuar tash e një vit.
Që nga kriza e shtatorit në veri të Kosovës, kryenegociatorët, Besnik Bislimi nga Prishtina dhe Petar Petkoviq nga Beogradi janë takuar vetëm një herë, më 21 prill, kur dështoi arritja e marrëveshjes për targat e automjeteve.
Dialogu në nivel të kryenegociatorëve është zhvilluar disa herë para dhe pas këtij momenti por pa takimin e drejtpërdrejtë të tyre. Secili takim i zhvilluar në Bruksel që nga ajo kohë ka përfunduar pa asnjë rezultat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.