Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin, teksa kanë diskutuar çështje të ndryshme me interes të të dyja vendeve.
Gërvalla nga ky takim ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkruara midis dy vende.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të lënë mënjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale midis tyre, të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkruara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar“, u shpreh Gërvalla.
Në këtë takim, ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-COVID për stafin shëndetësor kosovarë.
Gërvalla dhe Minxhozi biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.