Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi ka treguar se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.
Kurse zëdhënësja e këtij aeroporti Valentina Gara, ka thënë se nuk kanë ende datë konkrete, vetëm se beson që shumë shpejt do të lejohen fluturimet nga ana e qeverisë.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, sot kanë folur në një konferencë për media ku kanë shpalosur detaje rreth masave që do të merren pas rifunksionalizimit të fluturimeve.
Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara para mediave ka treguar se përpos dezinfektimit të të gjitha pajisjeve, secilit udhëtar në nisje do t’i matet temperature.
Po ashtu, Gara bëri të ditur se do t’i kushtohet kujdes i veçantë edhe mbajtjes së distancës dhe vënies së maskave.
“Sa i përket masave përpos dezinfketimit të automjeteve, ne në bazë të rregullave kemi vënë po ashtu masat për aeroport. Nënkupton që vetëm udhëtarët që udhëtojnë do të lejohen të hyjnë në terminal. Secili udhëtar në nisje do t’i matet temperatura, dhe në rast të temperaturës së lartë do të njoftohet IKSHP.
Udhëtarët do të mbajnë distancën 1.5 metër, ku kemi vendosur të gjithë shenjat. Sa i përket hapësirave pritëse në terminal, kemi aranzhuar edhe ulëse që udhëtarët mos të ulen përballë. Udhëtarët pa maska nuk do të lejohen të hyjnë pa maska. Në hyrje të terminalit janë vënë pajisje ku do të dezinfektohen rrobat e tyre. Vetëm udhëtarët që kanë nevojë për shoqërues do të shoqërohen deri tek hapësira e sportelit”, tha Garaj.
Garaj tha se shpreson që Aeroporti i Prishtinës të hapet së shpejti me një vendim të qeverisë.
“Ne jemi operativ, jemi të hapur, mirëpo me lejimin e fluturimeve në arritje besoj që do jemi plotësisht operativ. Besojmë se së shpejti do të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës”, ka thënë ajo.
Zëdhënësja e Aeroportit po ashtu bëri të ditur se rreth 700 mijë udhëtarë janë prekur nga pandemia në aeroportin e Prishtinës.
“Siç e dini prioriteti ynë është siguria, prandaj edhe në bazë të rekomandimeve ne kemi përgatitur edhe udhëzimet për procesimin e udhëtarëve. Deri tani, kemi pasur në ndikim në numër të udhëtarëve, ku rreth 700 mijë udhëtarëve ju është pamundësuar që t’i procesojnë udhëtimet e tyre. Nga virusi COVID-19, të gjithë industritë kanë pasur ndikime negative. Edhe industria e aviacionit ka pasur një rënie të fluturimeve normale”.
Kurse, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi tha se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.
Ato janë ndërprerë qysh në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Abrashi ka treguar se ka zhvilluar takime me të gjitha institucionet, përfshirë këtu Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për rikthimin sa më të shpejtë të fluturimeve.
“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”.
Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe menjëherë ka vendosur masa izolimi, përfshirë mbylljen e kufijve, të shkollave dhe të gastronomisë.
Lehtësimi i masave ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj, ndërsa tashmë thuajse nuk ka ndonjë kufizim dhe shumica e veprimtarive kruhet si para pandemisë.
Në Kosovë, gjithsej janë 1,263 raste të konfirmuara me koronavirus. Prej këtij numri, 912 pacientë janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.