Kosova i lë pa 300 euro punëtorët që humbën punën

18/12/2020 10:04 PM 0 komente

Rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat kanë humbur vendin e punës në periudhën shkurt-dhjetor të këtij viti. Për ta, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, është përcaktuar ndarja e 300 eurove për tre muaj. Por pagesa nuk do të bëhet këtë vit. Fajin e ka Qeveria e Kosovës, e cila nuk ka miratuar Ligjin për Buxhetin e vitit 2021

 

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

Qytetarët e Kosovës, që janë larguar nga puna si pasojë e pandemisë së koronavirusit, nuk do të ndihmohen nga shteti këtë vit. Ata do të duhet të presin deri në vitin e ardhshëm, që të marrin 300 eurot e premtuara. Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se kjo kategori dhe disa të tjerë s’do të mund të përfitojnë nga ligji, pa u miratuar Ligji për Buxhetin e vitit 2021.

“Shumë mediume dhe qytetarë këto ditë po më shkruajnë e po pyesin se kur do të fillojë ekzekutimi i pagesave prej 300 eurove për ata që kanë humbur vendet e punës dhe po ashtu, kur do të fillojë implementimi i mbështetjes për biznese, duke u mbështetur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike (LRE).

Në pamundësi të përgjigjeve individuale po iu njoftoj se, disa nene të LRE, mund të fillojnë të zbatohen këtë vit, siç është rasti me tërheqjen e mjeteve të trustit, ose edhe nene të tjera, që nuk kërkojnë miratimin e Ligjit për buxhet për vitin 2021. Por disa nene të LRE nuk mund të zbatohen pa kaluar Ligji i buxhetit për vitin 2021 sepse kërkojnë që, për implementimin e tyre të ketë ndarje buxhetore, të përcaktohet Institucioni që do të implementojë këto nene, të përcaktohen kriteret dhe mënyra e aplikimit të përfituesve”.

Krasniqi u shpreh se kjo nënkupton që pagesat për ata të cilët kanë humbur vendet e punës dhe mbështetja në vazhdim për biznese janë të lidhura me aprovimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2021.

Kjo kategori është paraparë që nga Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike të përfitojë për periudhën tetor deri në dhjetor nga 300 euro për muaj. Sipas nenit 12 të këtij ligji, “Pagat e punëtorëve në sektorin privat” janë paraparë të paguhen nga buxheti i shtetit për periudhën tetor-dhjetor 2020, për ata të cilët, si pasojë e pandemisë janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më 30 dhjetor 2020.

Bazuar në ligjet aktuale, në Kosovë ekziston afati për miratim të këtij ligji deri më 31 mars të vitit 2021. Ligji për rimëkëmbje, më së shumti, është përfolur për nenin që u mundëson qytetarëve të tërheqin 10% të mjeteve në Trustin Pensional. Nga kjo kategori, ata që kanë më pak se 10 mijë euro në Trust, do të rimbursohen më vonë nga shteti.

 

Ndihma

“Pagat e punëtorëve në sektorin privat” janë paraparë të paguhen nga buxheti i shtetit për periudhën tetor-dhjetor 2020, për ata të cilët, si pasojë e pandemisë janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më 30 dhjetor 2020.

 

100 mijë punëtorë mbeten pa punë

Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat ka treguar se deri tani, rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat kanë humbur vendin e punës. Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se nga Pakoja për Rimëkëmbje kanë pritur më shumë.

“Nga Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike ne kemi pritur shumë më shumë. Kemi pritur që të stimulohen në mënyrë direkte punëtorët e sektorit privat. Përveç Trustit, për ta nuk ka një stimulim tjetër. Dëshira jonë për ndarjen e 300 eurove do të kishte me qenë që të përfshihen të gjithë të punësuarit, në një formë që janë larguar apo ata që nuk kanë punuar fare”, ka thënë ai.

Azemi ka shprehur shqetësimin se një numër i madh i punëtorëve të mbetur pa punë, nuk do të mund të përfitojnë nga kjo masë, për shkak se kanë qenë pa kontrata pune e pa pagesa të rregullta të obligimeve financiare.

“Në takimin me kryeministrin ne i kemi treguar arsyet tona, shqetësimet tona dhe mendojmë se numri i punëtorëve që do të paguhen nga Qeveria e Kosovës me nga 300 euro, do të jetë diku 30-40 mijë punëtorë, kurse nëse e marrin numrin në tërësi se sa punëtorë janë larguar nga puna në periudhën mars – dhjetor, sigurisht që do ta kalojë shifrën 100 mijë punëtorë. Kjo mospërputhje është se këta 30-40 mijë punëtorë kanë pasur edhe kontrata të punës dhe kompanitë e punës kanë paguar detyrimet e tyre pensionale, kurse pjesa tjetër nuk kanë pasur as kontratë pune e as pagesë të Trustit”.

 

Papunësia, më e larta në rajon

Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë. Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7%. Sipas këtyre të dhënave për vitin 2019, numri i qytetarëve të punësuar, ishte 363,180 persona, ndërsa të papunë, por në kërkim të një vendi pune, ishin 176,743 persona.

Ndërkohë, mbi 700 mijë persona në Kosovë janë në moshe punë, por ekonomikisht joaktivë. Personat ekonomikisht joaktivë përfshijnë studentët, amvisat, punonjësit e dekurajuar dhe persona të tjerë. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, në një deklarim për media, pati treguar se shkalla e papunësisë në Kosovë, pas përfundimit të pandemisë, mund të shkojë në 50%, nga rreth 30% sa ka qenë në muajin mars.

“Ne jemi të vetëdijshëm në këtë drejtim se shumë vende të punës do të humbin për arsye të pandemisë që ka kapluar, jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe globin. Për këtë arsye, edhe ekonomia e Kosovës do ketë zvogëlim të rritjes ekonomike, kështu që edhe punëtorët do të humbin vendet e punës.

Edhe pse në Kosovë, përqindja e papunësisë është mbi 30%, kjo do të ngrihet për fat të keq, sepse nuk do të hapen vende të reja të punës, por do të mbyllen. Kjo shifër mund të shkojë deri në 50%, sepse gllabërimi i punëtorëve të cilët i inkuadron në marrëdhënie pune është sektori privat, gjegjësisht është sektori i ndërtimtarisë, sektor ky që tashmë po ballafaqohet me kriza të ndryshme”.

Mbi 23% e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri. Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18% e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë. Kosova ka vuajtur nga papunësia ndër vite. Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4% nuk ka arritur t’i zbusë këto probleme.

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovë, pandemia COVID-19 do të ndikojë në një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4%. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 5%.

 

Kriza dhe punësimi

“Ne jemi të vetëdijshëm në këtë drejtim se shumë vende të punës do të humbin për arsye të pandemisë që ka kapluar, jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe globin. Për këtë arsye, edhe ekonomia e Kosovës do ketë zvogëlim të rritjes ekonomike, kështu që edhe punëtorët do të humbin vendet e punës. Edhe pse në Kosovë, përqindja e papunësisë është mbi 30%, kjo do të ngrihet për fat të keq, sepse nuk do të hapen vende të reja të punës, por do të mbyllen. Kjo shifër mund të shkojë deri në 50%, sepse gllabërimi i punëtorëve të cilët i inkuadron në marrëdhënie pune është sektori privat, gjegjësisht është sektori i ndërtimtarisë, sektor ky që tashmë po ballafaqohet me kriza të ndryshme”.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of