Pas tërmetit të fuqishëm që ndodhi dje në Shqipëri, shumë familje kanë filluar të strehohen në Kosovë. Në orët e mëngjesit të sotëm kanë arritur familjet e para nga Shqipëria në Pejë, ku qytetarë të kësaj komune tashmë kanë hapur dyert për t’i strehuar ata.
Me bukë e kripë e zemër, shqiptarët nga Kosova janë duke pritur qytetarë të shumtë nga Shqipëria. Pas ngjarjes tragjike që preku të martën Shqipërinë, qindra shqiptarë në Durrës, Thumanë e Kurbin kanë mbetur pa kulm me shtëpi.
Ndërkohë, shumë qytetarë të Kosovës janë treguar krahëhapur, të cilët i kanë ftuar ata të vijnë dhe të strehohen në Kosovë. Tashmë një autobus ka mbërritur në Pejë. Në mëngjesin e së mërkurës, disa familje nga Shqipëria kanë arritur në këtë qytetet. Thuhet se numri i personave që kanë ardhur është 60 dhe të gjithë janë akomoduar.
Koordinatori Kombëtar i qeverive Kosovë-Shqipëri, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Limaj bëri të ditur se e ka njoftuar qeverinë shqiptare, dhe se agjencitë e transportit në Kosovë kanë venë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjellë në Kosovë të gjithë ata qytetarë të Shqipërisë që vendosin të strehohen në Kosovë.
Kujtojmë që në mëngjesin e së martës, Shqipërinë e goditi një tërmet i fuqishëm me shkallë 6.3 Rihter. Si pasojë, deri më tani kanë humbur jetën 27 persona dhe janë plagosur qindra shqiptarë. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës për të ndihmuar Shqipërinë ka ndarë nga buxheti i saj 500 mijë euro.
E ndihmat humanitare nga kosovarët vazhdojnë të mos ndalen, ku grupe të shumtë janë duke grumbulluar gjëra elementare për t’u dërguar familjeve të mbijetuara nga tërmeti./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.