Albin Kurti ka konfirmuar se këtë vit nuk do të ketë Qeveri të re. Ka thënë se në janar do të ndodhë pajtimi me LDK-në për të ndarë pozitat shtetërore. Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se Partia e Isa Mustafës refuzoi pozitën e Kryetarit të Kuvendit, të cilën e mori Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Albin Kurti ka vendosur të mos ngutet të formojë e propozojë mandatarin e Qeverisë pa e bërë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kurse, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, duke e quajtur sërish Albin Kurtin mashtrues, ka deklaruar se ai nuk e ka qëllimin t’i krijojë institucionet.
“Në janar kemi përpara arritjen e marrëveshjes me LDK-në”, ka thënë Albin Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Kurti ka thënë se s’bën të humbet më shumë kohë për të formuar Qeverinë, duke shtuar se në bisedime me LDK-në po mbrojnë vullnetin e popullit.
“80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua. Unë pres që pas konstituimit të Kuvendit të fokusohemi në bërjen e koalicionit qeverisës sepse pengesat e panevojshme nuk i duam. Ne nuk do të ishim VV nëse nuk punojmë e kërkojmë ashtu siç duan qytetarët. Kohë për të humbur nuk kemi sepse s’kemi ekonomi të zhvilluar, nuk kemi shërbime të mira shëndetësore dhe pothuajse të gjithë sektorëve iu duhet ndërhyrje”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se LDK-ja ia përcakton datën formimit të Qeverisë e jo Presidenti.
Lideri i VV-së, Albin Kurti ka thënë se Partia e Isa Mustafës e përcakton se kur do të formohet Qeveria e re e jo Presidenti i Republikës. Ka thënë se takimi do të ndodhë me Hashim Thaçin por data e formimit të Qeverisë do të përcaktohet pas marrëveshjes mes LDK’së e VV’së.
“Pra, Presidenti i Republikës përcakton datën e konsitutimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjertërkush. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës jo Presidenti i Republikës”, ka thënë ai.
Lideri i VV’së, Albin Kurti, ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi nuk mund të caktojë datën e formimit të Qeverisë pa e bërë propozimin partia fituese dhe pa u arritur marrëveshje mes dy partive.
“Duhet të takohemi dhe të bisedojmë. Edhe ne duam marrëveshje edhe populli do marrëveshje. Le ta diskutojmë këtë dhe çështje të tjera në takimin tonë të parë të radhës”, ka thënë ai.
Albin Kurti ka vendosur të mos ngutet të formojë e propozojë mandatarin e Qeverisë pa e bërë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka vendosur të mos shkojë më në Kuvend dhe ta zë në befasi 28 deputetët e LDK-së.
Kurse, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ai dhe partia e tij janë zënë në befasi diten e enjte, me emërimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Ishte befasi totale. Nuk e gjej asnjë deputet të Grupit Parlamentar të LDK-së që e ka ditur se Konjufca do të bëhet kryetar i Kuvendit. Unë nuk e kam ditur dhe asnjë deputet nuk e ka ditur”, ka thënë Mustafa.
Ai thotë se nuk heqin dorë nga parimi që të marrin përgjegjësinë që ua ka dhënë populli.
Mustafa ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.
“Nuk është orientimi i mirë për të shkuar në zgjedhje sepse nuk kemi bërë zgjedhje për të shkuar në zgjedhje. Energjinë tonë nuk duhet ta shfrytëzojmë për të thënë se duhet shkuar në zgjedhje por duke kërkuar zgjidhje”.
Ramush Haradinaj: Mashtruesi Albin Kurti nuk do të krijojë qeveri
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e quajtur sërish Albin Kurtin mashtrues, ka deklaruar se ai çdoherë ka bërë politikë për të qenë vetë kauza dhe nuk e ka qëllimin t’i krijojë institucionet.
Haradinaj i bëri këto komente në Kuvendin e Punës të AAK-së, ku pikë e rendit të ditës janë orientimet strategjike dhe objektivat e partisë, shkuarja në zgjedhje të brendshme dhe ndryshimi i statutit.
Sipas tij, Kurti do të vazhdojë të mbledhë rreth vetes njerëz për një kauzë që nuk është përmirësimi i gjendjes në shëndetësi, arsim apo krijim të vendeve të punës. Kjo sipas Haradinajt, shihet shumë qartë nga qasja e tij për të krijuar institucionet.
“Koncepti që ai po e përfaqëson në politikë është mashtrim. Ai ka shkuar në formën populsite të mbledhjes së votave, ai ka shkuar në formën e komprometimit dhe dëmtimit të asaj që është krijuar. Ai ka shkuar në mbledhjen e një besimi duke ia bërë punën e vështirë atyre që punojnë, por nuk e ka bërë asnjëherë këtë me logjikën që nesër me ndërruar gjendjen. Ai gjithë kohën ka bërë politikë për kauzën e vet. Me mbet kauzë ai nuk e ka qëllimin t’i krijojë institucionet.
Pra nuk do të krijojë qeveri Albin Kurti, ai do vazhdojë të mbetet në kauzë, të mbledhë rreth vetes njerëz për një kauzë por nuk është përmirësimi i gjendjes në shëndetësi, arsim apo krijim të vendeve të punës. Kjo shihet shumë qartë nga qasja e tij për të krijuar institucionet, dhe qeverinë”, tha Haradinaj, duke ia përmendur VV-së vitin 2017, kur pyesnin ku janë numrat.
Sipas tij, më së mirë për Kosovën do të ishte që Kursi të dështonet dhe të mos e krjonte qeverinë.
“Ku janë Vetëvendosje sot? A i kanë numrat? Ose pse i kanë ata numra? Pse i kanë kërkuar ato vota? Çka kërkojnë të bëjnë me to? Ka gjashtë muaj, që kam dhënë dorëheqje. Vendi duhet ët ketë qeveritë ketë zhvillim e punësim. Çka po ndodh në Kosovë sot? Një telenovelë në mes Kurtit dhe të tjerëve që janë peng i tij… Çka është më mirë për Kosovën, të dështojë Kurti dhe të mos krijojë Qeverinë”, tha ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe kryeministër në detyrë ka hedhur akuza nga partnerët e koalicionit PAN, ku siç tha ai ata gjatë bashkëqeverisjes kanë menduar vetëm për vete, por jo edhe për Kosovën.
Kurti refuzoi dy ftesat e Thaçit
Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë arritur ta finalizojnë me marrëveshje koalicioni procesin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndarjen e pushtetit dhe formimin e qeverisë.
Por, pavarësisht këtij fakti, duke u thirrur në kompetencat kushtetuese që pasojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, procedurë kjo që u përmbyll të enjten, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi liderin e partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurtin, në konsultime në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.
Kurti nuk u paraqit në takim, me arsyetimin se nuk ndodhej në Prishtinë.
Takimi ishte caktuar në orën 13.30. Por, pasi që Kurti nuk u paraqit aty, menjëherë pas, Thaçi bëri edhe përpjekjen e dytë, duke i dërguar letër Kurtit për një takim në orën 20.00.
“Ai nuk u paraqit në zyrën time ashtu siç pritej, sidoqoftë një ftesë e re do të pasojë së shpejti. Unë u bëj thirrje të gjithëve që të mos e vonojnë krijimin e qeverisë. Njerëzit dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi.
Pas ftesës së dytë, Vetëvendosja ia përsëriti Thaçit se të premten, Kurti nuk mund të shkojë në takim.
Gjatë mesditës, zyrtarë të Vetëvendosjes patën deklaruar se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës. Kurse në mbrëmje, Kurti është paraqitur në Prishtinë në një organizim të Vetëvendosjes për festat e fundvitit.
“I kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj, nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti, duke arsyetuar mosshkuarjen e tij në takim te presidenti Thaçi.
Kurti ka thënë se agjenda e tij nuk mund të bëhet aty për aty, gjatë ditës, duke pohuar se do ta takojë Thaçin, porse jo me urgjencë.
Caktimi i mandatarit për formimin e qeverisë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në dinamikën e formimit të institucioneve, përkatësisht qeverisë, pasi që nga momenti i caktimit të tij, do të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re.
Pas seancës konstituive të Kuvendit, të premten dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zgjedhur të heshtin. Nuk është raportuar as për ndonjë nismë të re për vazhdimin e bisedimeve.
Ndërkaq duke iu referuar zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së re të Kuvendit, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë për mediat lokale se këto vendime në Kuvend e kanë kthyer në fillim procesin e negociatave ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e qeverisë. Kjo për faktin se posti i kryetarit të kuvendit, sipas Mustafës, ishte pjesë e negociatave mes këtyre dy partive politike dhe tani Vetëvendosje, si parti fituese, pritet që t’i propozojë një ofertë të re LDK-së për koalicion dhe bashkëqeverisje.
Në bazë të Kushtetutës, fillimisht presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen, për ta formuar Qeverinë.
Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës./Fats Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.