Kosova, loja me milionat e Trustit në kohë pandemie

25/07/2020 10:04 PM 0 komente

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka planifikuar ndryshimet ligjore të Trustit për tërheqjen e 10 përqindëshit të kontributeve pensionale para moshës së pensionit. Mirëpo, deri më tani, nuk ka ende asgjë konkrete. Në Ministrinë e Financave e në Trust kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Kurse, qytetarët e Kosovës janë duke e pritur këtë vendim me padurim.

 

 

Fatos Shala, Prishtinë

Në kuadër të masave për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria e Kosovës është duke menduar që t’u mundësojë qytetarëve tërheqjen e një shume të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust). Në fakt, është thënë se qytetarët mund të tërheqin 10% të shumës së parave që kanë në kursime. Mirëpo, deri më tani, nuk ka asnjë lëvizje konkrete për këtë çështje.

Loja me këto para është duke u bërë mes Ministrisë së Financave, Trustit dhe Kuvendit të Kosovës. Këto institucione kanë versione të ndryshme për çështjen e tërheqjes së parave. Ministria e Financave, në sqarimin e fundit publik për këtë çështje, ka thënë se nuk do të ketë kompensim të tërheqjes së 10% nga Trusti Pensional. MF-ja e ka paraparë se ky vendim është më i drejtë për shkak të mjeteve në diferencë të qytetarëve.

“Ministria e Financave ka marrë vendim që të mos kompensohen mjetet e tërhequra nga Trusti. Kjo pasi e kemi parë se ka një diferencë të madhe në pasqyrën e qytetarëve. Kemi qytetarë që kanë vetëm 100 euro dhe të tjerë me 5 mijë ose 10 mijë euro. Atëherë kjo do të ishte e padrejtë që të kompensohen këto mjete”.

Ky institucion, po ashtu ka konfirmuar se është paraparë tërheqja e 10% të kursimeve nga Trusti i Pensioneve.
“Ministria e Financave njofton qytetarët e Kosovës se Qeveria e Kosovës, në kuadër të programit për rimëkëmbjen ekonomike, e ka paraparë edhe tërheqjen e 10% të kursimeve nga Trusti i Pensioneve. Mirëpo, qytetarët të cilët bëjnë tërheqjen e 10%, nuk do të kompensohen nga Qeveria për shumën e tërhequr”, ka sqaruar Ministria e Financave. Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka thënë diçka tjetër lidhur me këto para.
Në Trust kanë treguar se për t’u bërë i mundur propozimi për tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale duhet ndryshuar ligji.

“Kontribuues të nderuar, një njoftim sqarues i Ministrisë së Financave lidhur me kompensimin e 10% ka qarkulluar tashmë nëpër media dhe ka krijuar përshtypjen te qytetarët sikur tashmë lejohet tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti. Informacioni i dhënë në atë sqarim nuk është i plotë”, kanë treguar në Trust. Fondi i Kursimeve Pensionale thotë qartë se tani, vendimi është në duart e Kuvendit të Kosovës.

“Ju konfirmojmë se për t’u bërë i mundur propozim-plani i Qeverisë për 10% duhet patjetër të ndryshohet ligji në fuqi për fondet pensionale në Kosovë. Ky ligj, siç dihet, mund të ndryshohet vetëm nga Kuvendi i Kosovës, dhe deri tek ai ndryshim ka procedura për t’u kryer. Andaj, lutemi që të prisni njoftimin tonë për hapat e mëtutjeshëm. Pra, jua përsërisim, 10% ende nuk mund të tërhiqet sepse nuk ka ndryshuar ligji”.

Kurse në një deklaratë publike, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pati thënë se Projektligji, i cili do të lejonte tërheqjen e 10% të kontributeve nga Trusti, do të dalë për votim në Kuvend. Mirëpo, deri më tani, kjo nuk ka ndodhur.

 

Pro dhe kundër prekjes së parave në Trust

Ish-ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, ka shpalosur disa nga arsyet se pse nuk duhet të preken kursimet e qytetarëve nga Fondi Pensional. Më tej, ish-ministri ka deklaruar se promovimi i idesë së përdorimit të një pjese të kursimeve pensionale i ngjan një mashtrimi optik. Bislimi ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusti me kaq lehtësi dërgon një mesazh të keq te të gjithë “që brengosemi për sigurinë e kursimeve individuale”.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti me kaq lehtësi dërgon një mesazh të keq tek të gjithë ne që brengosemi për sigurinë e kursimeve tona individuale. Në një kontekst të tillë, edhe pavarësia menaxhuese e Trustit ndihet e atakuar, e kjo pastaj shumë lehtë mund të përkthehet në performancë nën optimale në investimin e mjeteve të Fondit. Rezultati final do të ishte ulja e përfitimeve të secilit prej nesh në momentin e pensionimit, që nënkupton që papërgjegjësia momentale e qeverisë mund të prodhojë dëme afatgjata për secilin pensionist, përfshirë këtu edhe ata që vendosin të mos e shfrytëzojnë këtë mundësi tani”.

Bislimi ka treguar se ndërhyrja në mjetet e Trustit është një mekanizëm i paligjshëm, vështirë i menaxhueshëm dhe me pasoja afatgjatë për shëndetin e Fondit. “Mjetet e deponuara në llogaritë e trustit pensional derdhen në llogari individuale dhe menaxhohen nga një institucion apo fond, të cilin ligji e klasifikon si person juridik të pavarur. Pra janë mjete personale të qytetarëve e që menaxhohen nga një fond krejtësisht i pavarur nga qeveria.

Rrjedhimisht të fusësh duart në mjetet e fondit është ngjashëm me futjen e duarve nëpër xhepat privatë të qytetarëve. Bazamenti i funksionimit të këtyre llogarive dhe kësaj forme të mbulimit të kostos së pleqërisë qëndron në besimin e qytetarëve që mjetet janë të tyre dhe që askush (madje as qeveria) nuk mund të shërbehet me to për të zgjidhur problemet e saj”.

Njohësi i ekonomisë dhe statistikave, Erton Bega, është pro përdorimit të 10% të Trustit si mekanizëm i rimëkëmbjes ekonomike. “Përdorimi i 10% (apo sa të vendoset) të Trustit si mekanizëm i rimëkëmbjes ekonomike është efektiv pasi ndihmon në mirëmbajtjen e fuqisë blerëse dhe shpërndarja proporcionale e tij do të siguronte mirëmbajtjen e standardit jetësor të secilit, financimi i të cilit në tërësi nga shteti, për të gjithë proporcionalisht, do të shihej si shpërblim për kontribute ndaj shtetit në të kaluarën”.

Ai thotë se garancia e qeverisë për kompensimin e mjeteve të tërhequra nga Trusti është e mjaftueshme që ky organ i pavarur të veprojë pas ndryshimeve ligjore dhe kontribuuesit të mos kenë dilema për kohën e pleqërisë.
“Masat paraprake ishin masa sociale emergjente që nuk u ekzekutuan me kohë kjo ka thelluar në vetvete krizën ekonomike në ardhje!

Garancia e qeverisë për kompensimin e mjeteve të tërhequra nga Trusti është e mjaftueshme që ky organ i pavarur të veprojë sipas ndryshimeve ligjore dhe kontribuuesit të mos kenë dilema për kohën e pleqërisë. Ndarja e tyre në kategori dhe nënvlerësimi i kësaj mase, që përfshin mbi 600 mijë qytetarë, përveç politikisht, nuk mund të kundërshtohet me argumente ekonomike”.

 

Mbi 37% e qytetarëve duan t’i tërheqin kursimet

Kompania e hulumtimeve Pyper ka realizuar një hulumtim lidhur me këtë fond, duke përfshirë këtu edhe temat e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe mundësinë e tërheqjes së parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sondazhi i realizuar është kryer me një kampion jo të rastësishëm me rreth 1,000 persona anembanë Kosovës, ku kanë marrë pjesë qytetarë të klasave të ndryshme që përputhen me kriteret e Pakos Emergjente për të përfituar ndonjë lloj ndihme. Më saktësisht, kanë marrë pjesë qytetarë që janë punëdhënës në vështirësi si rezultat i COVID-19, përfitues të skemave sociale/pensionale, punëtorë të sektorit publik dhe privat gjatë kohës së shfaqjes së pandemisë në Kosovë.

Sa u përket të dhënave mbi punëtorët e sektorit privat, vështirësia e mbulimit të shpenzimeve personale, si rezultat i vonesës në mbulimin e pagës nga pako emergjente, është vlerësuar të jetë 6.17, në një shkallë 0-10, ku 0 nënkuptonte “aspak” dhe 10 nënkuptonte “shumë”.

Veç punëtorëve, çështje problematike janë raportuar edhe nga pronarët e bizneseve (21 në total), që kanë marrë pjesë në hulumtim, si rezultat i mosrealizimit i të gjitha pagesave për punëtorë nga qeveria. Më saktësisht, 33.33% e pronarëve të bizneseve kanë pohuar se u është dashur të pushojnë nga puna ndonjë punëtor, pasi nuk kanë mundur t’ua mbulojnë pagën. Njëkohësisht, edhe 19.05% e pronarëve të bizneseve kanë deklaruar se ndonjë punëtor ka dhënë dorëheqje pasi nuk kanë mundur t’ia mbulojnë pagën.

Më tej, prej numrit total të të anketuarve, 74.67% e tyre pajtohen/pajtohen plotësisht se si rezultat i moszbatimit total të Pakos Emergjente, numri i bizneseve që do të falimentojnë do të jetë i lartë. Në anën tjetër, kësisoj nuk mendojnë 9.30%. Për më tepër, Qeveria Hoti ka paraparë të inkuadrojë në ekonomi një përqindje, apo 10% të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës si mënyrë e rimëkëmbjes ekonomike. Për dallim prej 24.10% të pjesëmarrësve që e kanë konsideruar si vendim jo të duhur, po i njëjti vendim është konsideruar si i duhur nga 37.67% e pjesëmarrësve.

Sidoqoftë, plani për të funksionalizuar tërheqjen e 10% të parave nga Trusti është aktualisht në procesim. Mirëpo, kjo përqindje nuk po konsiderohet e mjaftueshme nga mjaft pjesëmarrës. Me fjalë tjera, 37.19% vlerësojnë se përqindja që mund të tërhiqet nga Trusti duhet të jetë më lart se 10%, ndërsa 6.74% vlerësojnë se duhet të jetë më e vogël se 10%. Vetëm 12.33% konsiderojnë se 10% është e mjaftueshme. E veç kësaj, 20.02% konsiderojnë se kjo përqindje e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk duhet përdorur për rimëkëmbje ekonomike.

Përveç kësaj, hulumtimi i Pyper është fokusuar edhe në matjen e gjasave për tërheqjen e 10% nga ana e qytetarëve. Përgjigjja më e klikuar rreth kësaj ka qenë se ka shumë gjasa me 24%, ka gjasa me 22.3%, nuk ka gjasa me 15.84% si dhe nuk ka aspak gjasa me 8.92%. Mirëpo, e rëndësishme të theksohet është se ky 10% nuk do të jetë ndihmesë për të gjithë, pasi siç tregojnë të dhënat 28.94% e pjesëmarrësve kanë deklaruar se nuk kanë kursime në Trust.

 

Në Trust janë të grumbulluara mbi 2 miliardë euro

Të gjithë të punësuarit e regjistruar në Kosovë paguajnë 10% kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht 5% paguan punëdhënësi, kurse 5% paguhen nga paga e të punësuarit. Deri më tani, 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të rreth 700 mijë kontribut-paguesve në Kosovë, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është institucion publik i pavarur dhe jofitimprurës, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Fondi është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të përcaktuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale. Mandati i këtyre kursimeve është specifik, pasi ato me legjislacionin në fuqi mund të përdoren vetëm për pension – dhe nuk mund të përdoren ose tërhiqen përpara moshës së pensionimit për asnjë arsye tjetër.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of