Kuvendi i Kosovës ka arritur që në seancën e së shtunës ta votojë buxhetin e vendit për vitin 2019. Të ardhurat totale që pritet të mblidhen nga buxheti janë 1.9 miliardë euro, ndërsa shpenzimet 2.3 miliardë euro. Deficiti buxhetor pritet të jetë në rreth 400 milionë euro, ose 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinjat dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ky buxhet do t’i hap rrugë zhvillimore ekonomisë e ndërmarrjeve, arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, sportit, kulturës e inovacionit. Por me votimin e këtij buxheti ka pasur edhe reagime të shumta, sidomos nga opozita.
Sipas deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, shumica e buxhetit të Kosovës për vitin 2019 do të shpenzohet për skemat pensionale.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se 1.4 miliardë euro janë ndarë për paga e skema. Këtë, Abdixhiku e quan popullizëm. “Që ta dini, nga sot, – 740 milionë euro paga; – 660 milionë euro skema. Nga Buxheti 1.9 miliardësh, plot 1.4 miliardë euro për paga e skema në vit. Lajm shumë i mirë për përfituesit e sektorit publik; pabarazi enorme për secilin tjetër në sektorin privat e të papunë. Merreni si të doni, por – për të gjithë bashkë – spitalet mjerim, shkollat PISA, gjyqësorët krim e të rinjtë e papunë do të jenë të zakonshëm për shumë kohë. Popullizmi këtë ka”, ka thënë ai”.
Kurse, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore.
“E përshëndes miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës. Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind”.
Ai ka thënë se arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti.
Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat”.
Edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu ka thënë se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm është më shumë shpenzues. Sipas tij, qeveria buxhetin po e sheh si diçka të saj personale.
“Ky buxhet më shumë është më shumë shpenzues se sa që krijon pasuri dhe mirëqenie. Mungojnë investimet e qarta që prodhojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës. Edhe në këtë projektbuxhet qeveria po tregon se e sheh buxhetin si diçka të vetën, diçka personale”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin për buxhetin e vitit 2019 gjatë natës të së shtunës.
Për Ligjin për buxhetin kanë votuar 65 deputetë. Buxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë në vlerë prej 2,3 miliardë euro.
Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë votuar për buxhetin për vitin 2019.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Qeveria e Kosovës ka paraparë të hyra rreth 1 miliardë e 949 milionë euro për 2019-n.
Këto të hyra përbëhen nga të hyrat tatimore të cilat kontribuojnë me rreth 89 përqind pjesëmarrje, apo 1 miliardë e 731 milionë dhe ato jo tatimore me 11 përqind, apo rreth 208 milionë euro. Ndërsa 7 milionë euro të tjera nga grantet për mbështetje buxhetore.
Të hyrat e planifikuara do të jenë më të larta me rreth 7 përqind në krahasim me të hyrat e planifikuara të vitit 2018.
Të hyrat tatimore përbëhen nga të hyra tatimore direkte ku bëjnë pjesë: tatimi në të ardhurat e korporatave, tatimi në të ardhurat personale, tatimi në pronë dhe të tjera, dhe në tatimet indirekte ku bëjnë pjesë: tatimi mbi vlerën e shtuar, detyrimi doganor, akciza dhe të tjera.
Nga viti 2017 deri në 2019 të hyrat buxhetore u parapanë të rriten mesatarisht në mes 7 e 8 përqind.
Buxheti prej 2.365 miliardë euro i paraparë të shpenzohet në vitin që vjen paraqet një rritje të buxhetit prej 12 përqind në krahasim me vitin 2018-të dhe rreth 34 përqind me 2017-ën.
Draft-buxheti i Republikës së Kosovës saktëson se Kosova në vitin 2019 planifikon t’i shpenzojë deri në 2 miliardë e 365 milionë euro. Prej tyre, 1 miliardë 567 milionë euro ndahen për shpenzimet rrjedhëse që përbëjnë rreth 66 përqind e shpenzimeve të përgjithshme dhe rreth 33 përqind, apo 770 milionë euro janë ndarë për shpenzime kapitale. /Fatos Shala për Monitor.al.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.