Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për miratimin në Kuvend të Kosovës për marrëveshjen ndërkombëtare me vlerë prej 15 milionë euro, mjete këto të destinuara për distribuimin e vaksinave antiCovid.
Qeveria e Kosovës ka votuar Projekligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për Covid-19”, Financim shtesë në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (MFPT).
Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, shpjegoi ndarjen e mjeteve nga ky bashkëpunim e që kap shumën 15 milionë euro.
Murati tha se kjo marrëveshje ka kaluar të gjitha fazat që parashihen me Ligjin për Ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërkaq ftoi ministrat të përkrahin edhe këtë marrëveshje si Projektligj.
“Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë eurosh. Mjetet financiare kanë për synim mbështetjen për distribuim të vaksinave kundër COVID-19, një pjesë e tyre do të destinohen edhe për mbështejtje në furnizim me barna esenciale. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të kësaj marrëveshje dhe se ka kaluar të gjitha fazat që parashihen me Ligjin për Rartifikimin e marrëveshjeve, prandaj e kemi sjellur sot para jush edhe si projektligj për tu miratuar”, tha Murati gjatë mbledhjes.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi më 11 gusht se 186 pacientë janë të shtrirë në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID-19 – sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi – dhe në spitalet e përgjithshme.
Prej këtij numri, 136 pacientë janë të konfirmuar pozitivë me koronavirus. Dy prej tyre janë në gjendje të rendë.
Ditëve të fundit, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve me koronavirus. Më 10 gusht, në vend u regjistruan 562 raste të reja dhe dy viktima.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kanë thënë se rreth 90 për qind të rasteve të reja janë të lidhura me variantin Delta të koronavirusit. Ky variant, që është më ngjitës, është duke u përhapur me shpejtësi në mbarë botën.
Që prej marsit të vitit 2020, e deri më 10 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 110.756 raste me COVID-19. Prej tyre, 2.273 pacientë kanë vdekur dhe 105.843 janë shëruar. Raste aktive janë 2.158.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.