Kosova miratoi masat e reja të veçanta për mbrojtjen nga pandemia e COVID-19. Në vendim përfshin 30 masa, të cilat hyjnë në fuqi nesër, më 13.11.2020 në orën 18:00.
Pas disa ditësh diskutime, me grupe të ndryshme interesi, e pas përplasjeve brenda koalicionit qeveritar, Qeveria e Kosovës, sot ka votuar masat e reja kundër luftimit të Covid-19
Siç bëhet e ditur në këtë vendim, masat e reja do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme me fillim nga ora 18:00.
Në vendim, theksohen qartë të gjitha ndalesat që iu bëhet qytetarëve të Kosovës, për 2 javë rresht.
Masat ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Në pikat kufitare do të vendosen ekipet mjekësore për kontrollin e qytetarëve që hyjnë në Kosovë.
Po ashtu, komunat do të ngremë shtabet emergjente, me qëllim që të mbikëqyret situata epidemiologjike.
Ndërsa, arsimi i lartë do të kalojë plotësisht online.
Zona e kuqe – rrezik i lartë
Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës.
Në këto komuna, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.
Zona e portokalltë – rrezik mesatar
Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e portokalltë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.
Në këtë zonë, hyjnë të gjitha komunat tjera që nuk janë pjesë e zonës së kuqe dhe të gjelbër.
Zona e gjelbër – rrezik i ulët
Në këtë zonë hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me pandeminë është tepër e rëndë.
Ai ka thënë se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tejet pesimiste.
“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet ne duhet të kujdesemi për masa me specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimisite”, ka thënë Hoti.
Hoti ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që t’i ulë këto shifra.
“E masat e ndërmarra na e përmirësuan situatën, por kur u kthye pandemia në regjion kemi edhe ne rritje. Është bërë riorganizimi, e kemi 838 numrin e shtretërve. Edhe numri me qasje ne oksigjen është rritur. 626 pacientë janë të shtrirë në QKUK dhe spitale”, ka thënë ai.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është shprehur kundër mbylljes së Prishtinës, pa ndihmë për ekonominë.
Ahmeti në një postim në Twitter shkruan se Prishtina në zonë të kuqe, ndërsa kufijtë e hapur është pa kurrfarë efekti.
“Jo mbylljes së Prishtinës me statistika të paqëndrueshme! Jo mbylljes së ekonomisë, pa ndihmë për ekonominë! Po masave për ngadalësim të COVID, por vetëm atyre që janë të arsyeshme dhe vërtetë ndikojnë në numra. Prishtina në zonë të kuqe, e kufijtë hapur është pa kurrfarë efekti”, shkruan Ahmeti.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ndërkohë ka bërë të ditur se kundërshton çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme të bizneseve, nëse ato nuk subvencionohen dhe mbështeten me pako strategjike për mbulimin e dëmeve.
Mbyllja e bizneseve për dy ditë, sipas Odës Ekonomike të Kosovës mund t’i ketë kushtuar ekonomisë së Kosovës humbje deri në 15 milionë euro.
Kosovës të mërkurën i janë shtuar 773 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 1,519 mostrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar katër viktima.
Sipas të dhënave të këtij Instituti të mërkurën janë regjistruar edhe 137 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 8,845.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 26,121 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 777 pacientë kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.