Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja për Rusinë dhe Bjellorusinë, përfshirë pakon e katërt të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër këtyre dy shteteve. Po ashtu janë ndarë 100 mijë euro ndihmë me produktet “Made in Kosova” për Ukrainën.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës, si viktimë e agresionit rus.
“Bazuar në qëndrimin e Republikës së Kosovës për harmonizimin e qëndrimit me aleatët…. MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 100 mijë euro”, ka thënë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në arsyetimin e kërkesës.
Të hollat do t’i shpërndahen shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, e cila do merret organizimin/blerjen e produkteve “Made in Kosova”, të cilat më pas përmes transportit rrugor do të nisen për në Ukrainë.
Gërvalla ka thënë se Kosova është shtet që e kupton luftën për liri dhe drejtësi, dhe kupton secilin qytetarë që detyrohet të braktisë shtëpinë e tij për shkak të një agresori.
Me inicimin e MPJD-së, qeveria ka pezulluar vizat për qytetarët e Ukrainës, ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, dhe gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka vendosur të zgjerojë pakon e masave sanksionuese ekonomike-financiare ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, pas pushtimit të Ukrainës. Siç ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, kjo është pakoja e katërt me sanksione.
“Kjo pako konsiston në masa restriktive, tregtare, ekonomike, financiare energjike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe etniteteve shtesë”, tha Kurti
Ai tha se sanksionet e reja janë në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me BE-, ShBA dhe partnerët tjerë.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se bëhet fjalë për ngrirjen e aseteve bankare, ndalimin e mediave propaganduese dhe restriksione Bjellorusisë për importe të mallrave teknologjike.
Sanksionet janë vënë në koordinim me partnerët perëndimorë, kanë bërë të ditur krerët e shtetit.
Me inicimin e MPJD-së, qeveria ka pezulluar vizat për qytetarët e Ukrainës, ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, dhe gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.