Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Partitë politike sot do të marshojnë në qytete të ndryshme për të bërë hapjen zyrtare të fushatës ku do të mundohen të grumbullojnë sa më tepër përkrahës që të duket tubimi i tyre sa më madhështorë. Garues për kryeministër të Kosovës i janë furur, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Fatmir Limaj.
Subjektet politike, të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zyrtarisht sot kanë nisur fushatën zgjedhore. Gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore, 25 subjekte politike të certifikuara, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, pritet t’i shpalosin programet e tyre në garë për të fituar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Prishtinën për ta hapur fushatën e saj, konkretisht sheshin “Ibrahim Rugova”.
Partia e Isa Mustafës hapjen e fushatës e bën në ora 19:00.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka zgjedhur qytetin e Mitrovicës për hapjen e fushatës e jo Prizrenin edhe pse udhëheq këtë komunë. Tubimin do ta mbajë në ambient të mbyllur, në sallën e sporteve “Minatori” duke filluar nga ora 16:00.
Edhe PDK-ja e Kadri Veselit fushatën do ta nis në Mitrovicë, konkretisht në sheshin “Mehë Uka”, duke filluar nga ora 17:00.
Koalicioni AAK-PSD ka zgjedhur qytetin e Suharekës për ta nisur fushatën, të cilën komunë e qeverisë.
Kjo parti tubimin do ta mbajë duke filluar nga ora 18:00 në palestrën “13 Qershori”.
Koalicioni Nisma-AKR-PD tubimin e hapjes së fushatës do ta mbajë në Prishtinë në sallën “1 Tetori” nga ora 18:00.
Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK) hap zyrtarisht fushatën zgjedhore poashtu në Prishtinë, konkretisht në Hotel Grand nga ora 15:00.
Kandidatë për kryeministër të Kosovës janë: Kadri Veseli nga PDK, Vjosa Osmani nga LDK, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-PSD, Fatmir Limaj nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, AKR dhe PD.
Më 6 tetor garojnë 20 janë parti politike dhe iniciativa qytetare, derisa në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë.
Në listën përfundimtare të votuesve, sipas Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se votues.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor..Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.