Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) i ka miratuar kërkesën KEDS-it rreth shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë. Nga ky miratim, do të hapet mundësia për rritje të tarifave të energjisë elektrike edhe para përfundimit të këtij viti.
Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë më çmim më të lartë.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ka pranuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO) kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Kjo për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.
Sipas njoftimit thuhet se ZRRE në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e eficiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.
”Muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit. Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor”.
Mes tjerash thuhet se importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021.
”ZRRE në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit”.
Në njoftim po ashtu thuhet se paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave tjerë për përmirësimin e eficiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës.
Tutje theksohet se ZRRE do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve.
Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
Javë më parë zyrtarë të KEDS-it, patën deklaruar se çmimi në Kosovë i energjisë elektrike nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.
Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së hënë ka thënë se aktualisht konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është shumë i madh por se edhe çmimi i energjisë është më i liri në rajon.
Ai tutje përsëriti se kriza e ka përfshirë gjithë rajonin dhe më gjerë dhe se shtetet po ndërhyjnë në prodhim, konsum dhe tregun e energjisë elektrike.
“Ne në mbledhjen e fundit të qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike e cila po na troket në derë, mirëpo ne megjithatë jemi të fundit që po na kaplon kriza. Rajoni ynë, por edhe më gjerë, një pjesë e madhe e kontinentit, ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike. Shtetet po ndërhynë si rrallë më parë në prodhimin, konsumin dhe tregun energjetik. Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, për derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 vent për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”.
Partitë opozitare në Kosovë, në seancën e Kuvendit të mbajtur të hënën, kanë ngritur shqetësim për mungesën e energjisë elektrike, me të cilën kanë nisur të përballen qytetarët dhe ekonomia në përgjithësi.
Kosova, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hyrë në një krizë energjetike dhe për këtë ai ka kërkuar nga qeveria një strategji, si do t’i qaset këtij problemi.
“Si do ta kalojmë këtë dimër, sa i vështirë do të jetë për qytetarët për vendin për ekonominë dhe çfarë strategjie do të ndjekim në të ardhmen?”.
Haradinaj tha se kriza energjetike në të cilën do të futet Kosova, është si pasojë edhe e refuzimit të projekteve energjetike nga Qeveria e kryeministrit, Albin Kurti, siç ishte projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.
Ndërprerjet e energjisë ditëve të fundit në Kosovë janë evidente. Reduktimet e herëpashershme paralajmërohen edhe përmes njoftimeve zyrtare nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).
Pamundësia për të përmbushur kërkesat për energji elektrike i ka theksuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes, termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ në Obiliq kanë arritur të prodhojnë 759 megavatë, derisa kërkesa për energji ka qenë 1,113 megavatë.
“Treqindepesëdhjetekatër megavatë jemi duke i prodhuar më pak sesa që është kërkesa”.
Korporata Energjetike e Kosovës, sipas ministres Rizvanolli, është duke bërë përpjekje maksimale që të fusë në operim edhe bllokun e tretë të termocentralit ‘Kosova A’, që sipas saj, do të ndihmonte me 120 megavatë të tjera.
“Për të përmbushur kërkesat me energji elektrike në sezonin e dimrit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është duke u marrë me prioritet të licencimit të kapaciteteve të impiantit të erës të ndërtuar në fshatin Selac, që do të shtojë edhe 60 megavatë”, tha Rizvanolli.
Ministria e Ekonomisë, ndërkohë është duke e hartuar Strategjinë e Energjisë 2022-2031.
Kjo strategji, sipas ministrisë, do të analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji, si dhe të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.
Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.
Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
Krahasuar me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Serbia e Shqipëria, rryma në Kosovë është më e lirë për 3 deri në 4 centë.
Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) dhe KEDS-i kanë kërkuar nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.