Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëri të ditur se gripi i shpezëve tashmë është i pranishëm në disa lokacione të ndryshme të Kosovës. Sipas AUV, autoritet kompetente shtetërore dhe fermerët janë të detyruar të ndërmarrin veprime konkrete për parandalimin e përhapjes se sëmundjes.
Ditë më parë është konfirmuar se në Kosovë është i pranishëm Gripi i Shpezëve tipi H5N8. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se mostra e testuar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë ka detektuar prezencën e Gripit të shpezëve Influenca Aviane A Subtipizimi H5 dhe N8 (Gripi i shpezëve H5N8).
Si rezultat i kësaj deri më tani janë asgjësuar rreth 10 ferma. “Deri më tash janë diku rreth 10 ferma që janë asgjësuar, kryesisht janë ferma të ekonomive familjare që pas marrjes së mostrave kanë rezultuar pozitiv në Gripin e Shpezëve H5N8”, kanë treguar nga AUV.
Në këtë Agjenci thonë se rastet e Gripit të Shpezëve të konfirmuara janë në shumicën e komunave të Kosovës, përfshirë këtu Prizrenin, Rahovecin, Skenderajn, Mitrovicën, Malishevën dhe disa komuna tjera.
“Inspektorët janë në teren duke lokalizuar fermat e prekura tek të cilat kryhen të gjitha shërbimet duke përfshirë edhe asgjësimin e shpezëve të ngordhura dhe atyre prezente në fermë nën mbikëqyrje të veterinerëve zyrtar duke respektuar masat e biosigurisë”. Shtabi nacional i krizës siç shprehet AUV është duke punuar për koordinim të veprimeve në terren, për të parandaluar dhe per të luftuar sëmundjen.
“Janë asgjësuar shpezët në 5 ferma të ekonomive familjare në 4 qytete të ndryshme, dhe 2 ferma të tjera janë duke u diagnostikuar dhe të cilat po mbahen në izolim”.
Sipas OBSH gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve). Ai është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit. Rastet mbeten asimptomatike për tërë kohëzgjatjen e vëzhgimit (disa javë). Gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndosha.
Gjithashtu mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale (përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë) që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar. Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt nga ferma në fermë duke mbajtur virusin në veshjet e tyre, çizmet ose përmes rrotave të automjeteve. Zogjtë e egër normalisht mund të mbajnë virusin pa u sëmurur vetë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.