Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.
Me vlerë rreth 47 milionë euro, kjo marrëveshje synon të investohet në përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e përformancës së skemës së ndihmës sociale.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon edhe zbatimin e masës 3.3 – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
“Ministri Murati vlerësoi lartë mbështetjen e Bankës Botërore në procesin e reformës sociale në Kosovë dhe theksoi se kjo marrëveshje ka një vlerë të lartë për Republikën e Kosovës duke marrë parasysh nevojën e përmirësimit të targetimit të politikave sociale drejt familjeve më në nevojë. Plani i Qeverisë së Kosovës i jep rëndësi të madhe programeve sociale të cilat sigurojnë që të minimizohet varfëria dhe të zvogëlohet pabarazia ekonomike në vend. Andaj, marrëveshja e nënshkruar sot siguron që targetimi i këtyre politikave të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe angazhimi i Bankës Botërore drejt këtij qëllimi është tejet i mirëseardhur”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.