Qeveria e re e Kosovës, sfidë kryesore do të ketë ringjalljen e ekonomisëGjenerali i luftës Ramush Haradinaj, tashmë kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati i vetëm për kryeministër, nuk do ta ketë shumë të lehtë që të udhëheqë Kosovën në këto tri vitet e ardhshme. Ndonëse ende nuk dihet cili do të jetë programi i tij, situata që trashëgon nga kryeministri aktual Bajram Rexhepi, nuk i jep shumë arsye që të jetë optimist. Që në ditën e parë në kabinetin e kryeministrit ai do të vërejë se ekonomia është në një rënie të madhe, kurse ministrat i ka pa përvojë dhe nuk mund të presë shumë prej tyre, së paku në fillim të punës.”Nuk ka ndonjë shpresë se mund të ndalet rënia e ekonomisë. Kosovës i mungon strategjia e zhvillimit dhe në fakt ende nuk e kemi të qartë se cili do të jetë koncepti i ekonomisë për të ardhmen”, -mendon Prof. Dr. Muhamet Mustafa, drejtor i institutit “Riinvest” në Prishtinë, pa dashur që “të frikësojë” kandidatin për kryeministër. Dhe pikërisht z. Mustafa është ai që rrallë e përdor sloganin “sukseset dhe përparimet”, të cilin shpesh e dëgjojmë nga politikanët aktualë të Kosovës.”Vështirë është të gjenden sukseset dhe përparimet. Fatkqësisht, nuk kemi asnjë argument që mund të na bëjë optimist për të ardhmen”, -komenton profesori.Ekonomia në kolapsEkonomia e Kosovës, pesë vjet pas luftës ka hyrë në një kolaps, të cilin e ka të vështirë që ta kapërcejë. Problemi i parë është mungesa e prodhimit vendas. Nuk ka vende të reja të punës. Ekonomia e dikurshme, e cila tashmë ka hyrë në procesin e ndërlikuar të privatizimit nuk mund të lëvizë nga vendi edhe për një kohë të gjatë, ndërsa sektorit privat i mungon një ambient i përshtatshëm që ai të marrë rolin e shpëtimtarit. Me rënien e shpejtë të fuqisë blerëse, njerëzit e kuptojnë si zgjidhje edhe kur vetëpunësohen, përkatësisht kur hapin një njësi tregtare ku bëjnë një xhiro ditore prej 30 eurosh. Në këtë kategori janë edhe fermerët, të cilët kanë gjithnjë e më pak tokë, ndërsa prodhimet bujqësore i shfrytëzojnë për nevojat e tyre e jo edhe për treg. Pra, ka kaluar koha e shpresës për ndryshimet pozitive që mund të bëhen. Nuk ka më ndihma e donacione, rindërtimi ka përfunduar, kurse bankat e nivelit të dytë nuk janë aktive në financimin e prodhimit. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) po vjen në rënie. Në vitin 2001 ishte 1.85 miliard USD, një vit më vonë 1.57 miliard USD, ndërsa vjet edhe më i vogël. Situatën e përkeqëson edhe mungesa e statistikave të sakta, në bazë të të cilave do të mund të bëheshin llogaritje ekonomike. Askush sot nuk e di as sa banorë ka Kosova. Shifrat për popullsinë luhaten nga 1.7 milion deri në 2.4 milion banorë.Por, megjithatë duhen pranuar vlerësimet që në të shumtën e rasteve i paraqet Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo Banka Botërore, të cilat thonë se Kosova është skajshmërisht e varfër me PBB për frymë rreth 700- 800 USD, që është vetëm 40% e mesatares së Ballkanit të varfër.Kosova importon shumë në krahasim me eksportet, ndërsa eksporton metal skrap dhe kërpudha. Vlerësuar më realisht, eksporti i saj më i madh janë njerëzit dhe paratë. “Të rinjtë janë gjithnjë e më të interesuar të ikin nga Kosova. Ata më me dëshirë do të punonin çfarëdo pune në Perëndim, sesa të humbin kohën në pritje të pashpresë në Kosovë. Prandaj, edhe eksodi i tyre është shumë i madh. Në të njëjtën kohë vërehet një fluks i daljes së parave nga Kosova. Kursimet e lira bankare vendosen në bankat e shteteve perëndimore, të ardhurat nga privatizimi nuk mbahen në Kosovë, sikurse as ato të fondit të pensioneve. “Edhe pse bankat kanë shumë likuiditete, ato, (me arsyetimin e pasigurisë dhe rrezikun e lartë) preferojnë ti investojnë paratë jashtë, sesa ti investojnë në zhvillimin e ekonomisë”, -shprehet Ismajl Kastrati, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Për një kohë të gjatë, burim i financimit kanë qenë donacionet dhe prurjet e valutës nga diaspora. Tashmë nuk ka mundësi emigrimi, ndërsa emigrimi nëpërmjet bashkimit familjar bën që kosovarët, të cilët punojnë jashtë, të shpenzojnë më shumë para në shtetet ku jetojnë dhe të dërgojnë më pak në Kosovë.Kosova dhe të tjerët Bullgaria dhe disa vende balltike përmenden si modele se si mund të gjendet dalja nga kriza që e ka pushtuar ekonominë e Kosovës. Edhe këto shtete, disa prej të cilave janë tashmë në BE dhe të tjerat do të hyjnë së shpejti, kanë qenë në pozitë të vështirë para 10 vjetësh. “Nëse këto vende BE-ja i ka detyruar që të mësojnë dhe të arrinë aty ku janë, atëherë këtë mund të bëjë edhe me Kosovën”, është një porosi që ka dalë nga një konferencë në Bruksel, ku janë trajtuar probemet me të cilat ballafaqohet Kosova. Madje, është tërhequr vërejtja se nëse Kosova nuk do të përfshihet në axhendën financiare të BE-së për periudhën 2007-2013, atëherë ajo do të bëhet një periferi e varfër e Europës.Duke ditur situatën alarmante, kabineti i ardhshëm i z.Haradinaj nuk ka arsye që të humbë kohë dhe të vajtojë për gjendjen e pashpresë. Element i rëndësishëm edhe për ekonominë është qëndrueshmëria, e cila synohet të arrihet përmes plotësimit të standardeve.Qeveria e re e KosovësQeveria e re e Kosovës do të përbëhet nga persona, që për herë të parë në karrierën e tyre do të ulen në karrigen e ministrit, përveç Ahmet Isufit, i cili mbetet ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale.Sipas propozimeve që ka bërë koalicioni LDK-AAK, kryeministër duhet të jetë Ramush Haradinaj (AAK), zëvendëskryeministër Adem Salihaj (LDK), kryetar i komunës së Ferizajt. Nga LDK-ja vijnë: Haki Shatri, kryetar i Komisionit parlamentar për Buxhetin, do të jetë ministër i Financave; Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, do të udhëheqë Ministrinë e Pushtetit Lokal; Astrit Haraçia, kryeshef i ekzekutivit të Gjakovës merr postin e ministrit për Kulturë, Rini e Sport; Melihate Tërmkolli, anëtare e kryesisë së LDK-së, bëhet ministre e Shërbimeve Publike; Agim Veliu, kryetar i Podujevës do të jetë ministër i Arsimit; Qemajl Ahmeti, këshilltar në Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit merr timonin e kësaj ministrie.AAK-ja jep këta ministra: Ahmet Isufi, mbetet aty ku ka qenë në tri vjetët e fundit, ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale; Bujar Dugolli, kryetar i deritashëm i grupit parlamentar të AAK-së bëhet ministër i Tregtisë dhe i Industrisë; Bajram Kosumi, nënkryetar i partisë, do të jetë ministër i Ambientit dhe i Planifikimit hapësinor; Ethem Çeku, nga Ministria e Ambientit kalon në Ministrinë e re atë të Energjetikës.Ende nuk dihen emrat e ministrit të Shëndetësisë, që është rezervuar për muslimanët si pjesë e koalicionit qeveritar, ndërsa serbët duhet të udhëheqin Ministrinë e Bujqësisë, si edhe për kthimin e të zhvendosurve, sadoqë ata ende nuk janë deklaruar se a do të marrin pjesë në qeveri, apo jo.Kosova në vemendjeDuke filluar nga ky numër, “Monitor” do të sjellë çdo javë për lexuesin e saj shkrime dhe informacion ekonomik nga Kosova. Dy vende që flasin një gjuhë të përbashkët, kohët e fundit kanë forcuar urat e bashkëpunimit ekonomik midis tyre dhe ndajnë të njejtat probleme. Analiza ekonomike, të reja nga sistemet tatimore, sistemi bankar në Kosovë, mundësi biznesi nga të dy vendet do të jenë në fokusin e kësaj rubrike të re.Pengesë e zhvillimit, statusi i pazgjidhurZëvendësi i shefit të UNMIK-ut, Lari Rosin, në Bruksel ka vlerësuar se zhvillimet e fundit kanë dëshmuar stanjacionin në Kosovë, si dhe mungesën e angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare. “Kosova në të njëjtën kohë është edhe vend i postkonfliktit edhe vend në tranzicion”, ka thënë Rosin, i cili si probleme kryesore përmend mosbashkëpunimin e serbëve dhe mungesën e statusit. “Mungesa e statusit ka penguar progresin, jo vetëm për shkak të vetë statusit, por më shumë për shkak të leximit konservator të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurmit”, ka vlerësuar Rosin, duke parashtruar pyetjen se a është e domosdoshme që për shkak të çështjeve të lidhura me sovranitetin, Kosova deri në vitin 2007 të humbë 300 milion euro, pasi nuk mund të ketë prefiks ndërkombëtar të telefonit dhe ato para do të shkojnë në Monako ose në Serbi.Për bujqësinë vetëm 1% e buxhetitNë vitin 1993 Kosova kishte të regjistruar 96,699 fermerë, të cilët mesatarisht kishin 4 hektarë tokë, ndërsa sot në Kosovë ka 144,000 fermerë me nga vetëm 2.2 hektarë tokë. Vetëm 17,000 fermerë në Kosovë kanë më shumë se 5 hektarë tokë në pronësi dhe me këto parametra nuk mund të konkurrohet as me fqinjësinë, po ashtu të varfër të Kosovës.Kosova nga buxheti i saj ka dhënë më pak se 1% për bujqësinë, ndërsa BE-ja për bujqësinë ndan gjysmën e buxhetit të saj prej 100 miliard eurosh. Madje, asnjëra nga partitë politike nuk është e interesuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe atë ua ka lënë serbëve, për të cilët nuk dihet se a do të marrin pjesë në qeveri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.