Kuvendi i Kosovës ka votuar pro rrëzimit të qeverisë. Nga gjithsej 115 deputetë që ishin në sallë, 78 votuan pro, 34 kundër dhe 3 abstenime.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, falënderoi gjithë të pranishmit që gjendeshin në sallë. Ai tha se duhet t’i shërbehet së mirës së Kosovës. Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Sipas vlerësimeve të fundit, presidenti do të duhej që nesër në konsultim me partitë parlamentare, të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Përveç opozitës, rrëzimin e qeverisë e ka përkrahur edhe partneri i koalicionit, PDK.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Arban Abrashi.
Në rrjetin social Facebook, Abrashi ka shkruar: “Për hajër zgjedhjet”
Ndërsa para votimit, kryeministri Isa Mustafa u është drejtuar me këto fjalë deputetëve: “Duhet të respektojmë jetën parlamentare, demokracinë parlamentare, si shtet i ri duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të qytetarëve dhe Parlamentit. Nuk dëshiroj të komentoj çka ndodhë, çka po bëhet, kush kujt ju bashkangjit. Ju falënderoj për bashkëpunimin, ky Parlament meriton të ketë njerëz që i çojnë proceset përpara. Me vjen mirë që sot janë deputetët në Kuvend e jo jashtë tij, ju uroj shëndet dhe uroj të votoni sipas bindjes”- përfundoi Mustafa.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha për mediat se: “Ajo që mund t’ju them është se Kosova duhet të njihet jashtëzakonisht mirë që Kosova u qeverisë nga Isa Mustafa si kryeministër. LDK këtë vit i bën 28 vite, dhe edhe kësaj here do të dëshmohet para qytetarëve se së paku nga niveli qendror kemi çka t’u themi qytetarëve për punën që është bërë”, ka thënë Beqiri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.