Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të pandemisë. Nëse numri i rasteve me koronavirus rritet, kryeministri Hoti paralajmëron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si masë parandaluese.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë kurrfarë hezitimi që ta kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ai i është referuar projektligjit për pandeminë, të cilën Qeveria e ka konsideruar të panevojshëm.
“Sot kemi trajtuar në mbledhje të Qeverisë projektligjin e ardhur nga Kuvendi për menaxhimin e pandemisë. Vlerësimi i ekspertëve ligjorë të Qeverisë është se ky ligj nuk e zgjidh problemin, sepse nuk mundet me ligj të kufizohen të drejtat elementare, siç ka ndodhur me vendimet e Qeverisë së kaluar që u shpallën jokushtetuese. E vetmja zgjidhje nëse duhet shkohet në ekstreme të kufizimit të lëvizjeve në nivel vendi, duhet ta shpallim gjendje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në nuk do të hezitojë ta bëjë një gjë të tillë, nëse ia kërkon MSH-ja dhe IKSHPK-ja.
“Unë jam në konsultim të ngushtë me Institutin Shëndetit Publik dhe me Komitetin që udhëheq ministri, unë nuk do të hezitoj që të vijë për të kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse këtë e kërkojnë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka më pas asnjë hezitim në këtë drejtim”.
Hoti tha se në ditët në vijim do të shohin gjendjen në lidhje me shpalljen e situatës së jashtëzakonshme.
“Jemi duke e menaxhuar situatën, trendi është në rritje siç është në regjion edhe më gjerë, në mbledhjen e datës 5 korrik kemi marrë vendime në përputhje me programin tonë qeverisës për të përballuar këtë situatë me pandemi”.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani i ka rikujtuar Hotit se propozimin për gjendje të jashtëzakonshme e jep vetëm presidenti.
“Propozimin për gjendje të jashtëzakonshme në përputhje me Kushtetutën tonë nuk ka të drejtë ta japë kryeministri, por vetëm presidenti. Presidenti e konsulton kryeministrin para se ta lëshojë dekretin. Por, në këtë Kuvend nuk mund të vijë propozim ose akti i Qeverisë për gjendje jashtëzakonshme, por vetëm i presidentit. Prandaj është mirë të jeni të qartë lidhur me kompetencat që keni”.
Dje, në Kosovë janë shënuar edhe katër viktima nga koronavirusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të mërkurën se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 86.
Sipas njoftimit, të mërkurën, nga 413 testime të kryera, janë regjistruar edhe 214 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 4.100.
Raste aktive me sëmundjen COVID-19, janë 1.951. Nga sëmundja kanë arritur të shërohen edhe 60 pacientë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve tani është 2.063.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.