Kosova përfiton 33 milionë dollarë ndihmë nga Amerika

19/11/2020 10:00 AM 0 komente

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë Kosovës 33 milionë dollarë amerikanë, ndihmë kjo që lidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton mbi 33 milionë dollarë nga USAID-i.

Siç njofton Presidenca, kjo Marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

“Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t’i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës”.

Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka vlerësuar lart punën e USAID-it, potencuar se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.

Amerika është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of