Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka nënshkruar marrëveshjen IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilën Kosova do t’i përfitojë 75 milionë euro, të cilat janë të dedikuara për fushën e energjisë.
Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2023.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë të premten nga zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Bislimi ka thënë se nga kjo marrëveshje Kosova do të përfitojë 75 milionë euro dhe se këto fonde do të dedikohen për fushën e energjisë.
“IPA 2023 në plotni i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap të rëndësishëm të rrugës sonë drejt integrimit evropian dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të BE-së. Nga ky program Kosova përfiton fonde në vlerë prej 75 milionë eurove. Këto mjete do të ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjike që Kosova po i përjeto. Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90% të fondeve të parapara me këtë marrëveshje, pra për 67.5 milionë euro që pritet të disbursogen shumë shpejt në buxhetin e shtetit, kurse pjesa tjetër 7.5 milionë eurove do të disbursohet vitin e ardhshëm”.
Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ka thënë se ndarja e këtyre fondeve do t’i dedikohet sektorit të energjisë të ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë, që jo vetëm Kosova por e gjithë bota e ka ndjerë.
“Kjo është pjesë e 500 milionëshit si ndihmë i partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus dhe ndikimi i saj në tregun botëror, posaçërisht atij energjetik”.
Ai e ka quajtur unike që Kosova ka arritur ta çojë përpara këtë marrëveshje në më pak se tre muaj.
“Duhet të falënderoj Qeverinë për bashkëpunimin dhe jemi munduar ta afrojmë këtë marrëveshje më pak se 3 muaj, që është goxha unike në botën e BE-së.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur të veçantë programin pasi siç tha ajo i shërben direkt nevojave që ka pasur Kosova.
“Mesatarisht, familjet kosovare, gjatë vitit të kaluar kanë konsumuar 4% më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar. E veçanta e këtij programi është që ai është në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona”.
Rizvanolli ka thënë se Fondi i Efiçiencës së Energjisë me programin do të zhvillojë programe të tjera në ndihmë të familjeve kosovare.
“Gjatë vitit të kaluar fondi i eficiencëns së energjisë ka zbatuar 38 projekte investim mbi 5 milionë euro. Ky fond do të zbatojë me këtë program, programe të reja për familjet, në izolim të shtëpive, ndërrim të dritareve e dyerve, etj. Nuk kam dyshim se do të kemi program të suksesshëm”.
Në një vjetorin e luftës në Ukrainë, Bislimi ka shprehur nderime për të rënët dhe ka thënë se Kosova e njeh dhimbjen e Ukrainës pasi ka kaluar vetë nëpër një histori të tillë.
“Bëhen 1 vit nga fillimi i agresionit të paprovuar të Rusisë në Ukrainë. E shoh të rëndësishme të kujtojmë viktimat e kësaj lufte. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, por Kosova e njeh mirë dhimbjen dhe plagën e Ukrainës sepse me një mizori të ngjashme jemi përballur edhe ne në historinë tonë jo fort larg”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.