Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se është marrë vendim që të pezullohen përkohësisht të gjitha fluturimet për zonat me rrezik të mesëm dhe të lartë nga koronavirusi. Edhe Aeroport i Prishtinës, ka njoftuar për këtë duke ju bërë thirrje udhëtarëve që për detajet tjera t’u drejtohen kompanive ajrore në të cilat kanë blerë bileta.
Ministri i Transportit dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të të gjitha linjave ajrore dhe tokësore nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Italia, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Abdixhiku tha se vendimi është vazhdimësi e vendimit të datës 11 mars të Qeverisë së Kosovës për pezullimin e mësimit në shkollat e të gjitha niveleve.
Abdixhiku po ashtu tha se vendimi i tij bazohet në rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës për zonat me rrezik të mesëm dhe rrezik të lartë.
“Si rrjedhojë kam marrë vendim të pezulloj përkohësisht të gjitha ardhjet e linjave ajrore dhe tokësore nga këto shtete: Gjermani, Francë, Zvicër dhe Itali.Për qëllim të organizimit, vendimi hyn në fuqi 24 orë nga tani; pra nesër, më 13 mars, në orën 15:00. Ndjejmë keqardhje – sërish – për këto masa, por në rrethanat e tanishme jemi të paalternativë. Lus qytetarët të reduktojnë lëvizjet me jashtë sepse masa të njëjta mund të merren edhe me shtetet e tjera. Si vend e si shtet, me qetësi e pa panik, do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, ka thënë ai.
Edhe zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, ka njoftuar për këtë duke ju bërë thirrje udhëtarëve që për detajet tjera t’u drejtohen kompanive ajrore në të cilat kanë blerë bileta.
“Ju njoftojmë që sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës duke filluar nga nesër 13.03.2020 nga ora 15:00 të gjitha fluturimet NGA destinacionet e poshtëshënuara do të pezullohen/ndërpriten përkohësisht deri në vendimin e ardhshëm! –Zvicër –Gjermani –Francë –Itali. Ju lutemi qe per detajet tjera te fluturimit tuaj pas kesaj date kontaktoni me kompanite ajrore relevante!”.
Kosova dhe Mali i Zi aktualisht janë vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus.
Ndërkaq, në Klinikën Infektive të QKUK-së, nga 8 shkurti e deri dje (12.03.2020) janë testuar 93 persona nën dyshimin se janë prekur me Koronavirus. Për fat të mirë që të gjitha këto mostra kanë rezultuar negative.
Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Kurse, rezultatet e analizave të 20-vjeçares nga Gjakova që po dyshohet me koronavirus pritet të dalin sot.
Kështu ka bërë të ditur mbrëmë infektologu, Valbon Krasniqi.
“Tash për çdo ditë do të vijnë raste, personat që kanë ardhur sot pasdite, besoj testohen nesër dhe i presim rezultatet”, ka thënë Krasniqi.
Mbrëmë është raportuar se një vajzë nga Gjakova, 20-vjeçare, është nisur për QKUK nën dyshimin se është prekur nga koronavirusi.
Koronavirusi besohet se e ka origjinën në Kinë. Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa më pas janë përhapur edhe në dhjetëra vende të botës.
Aktualisht, numri i personave të infektuar me koronavirus në të gjithë botën është mbi 127 mijë, ndërsa mbi 4,700 pacientë kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.