Kosova, Qytetarë dhe Timonier me Dinjitet…

07/10/2019 10:33 AM 1 koment

Në Kosovë dje u votua.

Ngjarja ishte, si gjithmonë, e rëndësishme, por kësaj here absolutisht akoma më shumë, për faktin që rezultati që ato prodhuan në fakt ishte i pritshmi.

Çuditërisht, mediat televizive të Tiranës vijuan me shurdhësinë e zakonshme, sikurse edhe në rastet e votimeve të shkuara. E kur themi mediat, nuk kemi fare iluzion që pas heshtjes së tyre janë grupet e klanet politike të Tiranës.

Mirëpo janë pikërisht këto rezultate që, me sa duket, pak pëlqehen në “Tiranën politike”, e që prodhon këtë lloj trajtimi nënvleftësues.
Çka do të duhet të veçojmë më së pari, ne nga kjo anë e kufirit, për ditën e djeshme të Kosovës, është procesi i administrimit të votimit dhe i rezultatit të tij. Transparenca e demonstruar me transmetimin në kohë reale të numërimit të votave dhe shpallja e tyre publikisht, ishte në kontrast të plotë me atë që jemi mësuar të shohim këtej nga ana jonë, dhe ku jo më shumë se tre muaj më parë, kemi qenë dëshmitarë të një farse ku, veç të tjerash, rezultatit i duhet pothuaj me muaj për t’u shpallur.

Fakt ky që, nga një anë, na bën të paktën krenarë që shqiptarët, qytetarë me dinjitet, matanë kufirit, bëjnë votime korrekte për të na konfirmuar se nuk është aspak punë shqiptarie vjedhja apo blerja e votës, sikurse përpiqen të na e shesin politikanët e Tiranës. Nga ana tjetër, ky kontrast i thellë na kujton ne qytetarëve të Republikës shqiptare buzë detit, atë shijen e hidhur që na lënë imazhet përçmuese deri në tallje të politikanëve të këtejshëm për procesin zgjedhor e zgjedhësit në Republikën e Shqipërisë.

Por pa asnjë dyshim, çka i bënte më të rëndësishme votimet kësaj here në Kosovë ishte rezultati i pritshëm i Vetëvendosjes, dhe liderit të saj, Albin Kurtit. Dalja e këtij subjekti si fitues dhe vendosja e Albin Kurtit në pozitën e Kryeministrit të paracaktuar për formimin e qeverisë është një pikë kthese në politikë në trevat shqiptare. Artikulimet dhe qëndrimet e vijueshme antisistem nga kjo lëvizje dhanë frytet me mbështetjen popullore për t’ia besuar drejtimin e ekzekutivit qeverisës pikërisht kësaj lëvizje, me shpresën për të sjellë ndryshimin në Kosovë.
Por Albin Kurti, me Vetëvendosjen, kanë folur gjithmonë hapur e kanë mbajtur qëndrime që i tejkalojnë kufijtë striktë të Kosovës. Ndoshta edhe formalisht është e vetmja forcë politike që ka përfaqësi zyrtare në Tiranë.

E kjo për “paternalistët” e Tiranës nuk përbën ndonjë ogur të mirë. më së paku asnjë politikan nga Tirana nuk do të guxojë të luajë me me Kosovën nga pozita superioriteti. Urojmë që me ardhjen e tij në krye të qeverisë së Kosovës, të prodhohet edhe shkundja e politikës në Shqipërinë e buzëdetit dhe të “ketë ardhur dita” që edhe projektet për afrimin e dy shteteve të marrin vëmendjen e duhur dhe hapat konkretë të mos vonojnë.

Kësaj here, nga Tirana ne i detyrohemi një falënderim, së pari qytetarëve të Kosovës për dëshminë e dinjitetit qytetar në votime e zgjedhje shembullore dhe më tej, Albinit për lidershipin dinjitoz të dëshmuar gjatë këtyre viteve në opozitë e që shpresojmë ta rikonfirmojë në nivel edhe më të lartë si udhëheqës i ekzekutivit të shtetit të Kosovës.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
lotus Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
lotus
Guest
lotus

Ne fakt, ajo qe ndodhi ne Kosove, ishte nje prove e madhe qe tregon llumin ku ne si Shqiperi jemi. Ne momente te tilla, duhet te ndalojme per nue moment e te shohim se sa largu dhe sa keq jemi si shtet. Bravo Kosoves, perkunder xhelozive qe do shperthejne nga ana jone:(