Kosova nuk e ka humbur asnjë rast në arbitrazh, por që tani rrezikon të humbasë 300 milionë euro. Së fundmi janë fituar dy raste, ndërsa gjatë këtij viti i janë mbrojtur vendit mbi 10 milionë euro. Kosova shumë shpejt do të përballet në Gjykatën e Arbitrazhit edhe me IuteCredit.
Ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Selim Selimi, në një konferencë për media bashkë më avokatët shtetëror të Kosovës ka njoftuar për rastet që Kosova i ka fituar nëpër gjykata e ku i janë shpëtuar shtetit miliona euro.
Megjithatë Selimi ka treguar se aktualisht Kosova nëpër arbitrazhe i ka të rrezikuara 300 milionë euro dhe se kanë angazhuar edhe kompania të huaja për mbrojtje.
“Kosova nuk e ka humbur asnjë rast në arbitrazh, por që rrezikohet që të humb 300 milionë euro. Së fundmi janë fituar dy raste. Kosova ka të rrezikuara në arbitrazh rreth 300 milionë euro. Çështja e IuteCredit është në rrezik, ne jemi të përgatitur që të mbrojmë në arbitrazhe dhe të fitojmë këto raste”, ka thënë Selimi.
Gjithashtu në këtë konferencë është bërë e ditur që javën e ardhshme Kosova do të ketë përballje në gjykatë edhe për një kontest tjetër e ku pritet që të shpëtohen 10 milionë euro.
Të pyetur për rastin e Telekomit, avokati shtetëror ka treguar se është rast kur është paditur direkt Telekomin dhe jo Qeverinë e Kosovës, teksa ka dhënë shpjegime që Kosova aktualisht nuk ka humbur asnjë rast në Arbitrazh.
Ndërsa Avokati i përgjithshëm i Shtetit, Sami Istrefi, tha se është shumë e rëndësishme që të fuqizohet ky institucion.
“Janar-tetor janë mbrojtur një numër i madh i lëndëve. Vlera e kontestit është 10 milionë euro. Kjo tregon një përkushtim të Avokaturës së Shtetit. Dhe bëjë thirrje që të mbështesin këtë institucion”, tha ai.
Ai shtoi se javën e ardhshme është edhe një lëndë tjetër, për çka u shpreh i bindur se do të mbrohen edhe 10 milionë tjera.
Kosova po ashtu shumë shpejt do të përballet në Gjykatën e Arbitrazhit edhe me padinë që ia ka bërë ditë më parë institucioni mikrofinanciar IuteCredit.
Lexo edhe këtë: “IuteCredit” e dërgon në Arbitrazh shtetin e Kosovës
“Bashkë me Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, Sami Istrefi pritëm në takim guvernatorin Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili shprehi shqetësimin e tij, rreth dërgimit të lëndës në arbitrazh nga IuteCredit për shtetin e Kosovës. Për këtë çështje, guvernatorin Mehmeti e sigurova që Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Drejtësisë do t’i ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për këtë çështje”, kishte treguar ministri Selim Selimi.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që t’ua marrë licencën institucioneve mikrofinanciare IuteCredit dhe Monego, me arsyetimin se përveç kredive me norma astronomike të interesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.