Kosova, shpresa tek 170 euro

15/08/2020 10:00 PM 0 komente

Situata në Kosovë me COVID-19 vazhdon të mbetet jo e mirë. Numri i lartë i rasteve të të infektuarve dhe atyre që kanë humbur jetën, kanë detyruar qeverinë të marrë masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi. Por, qytetarët e Kosovës, përveç frikës nga virusi, kanë edhe telashe financiare. Shumica e tyre, të vetmen shpresë e kanë tek 170 eurot e Qeverisë. 

 

Nga Fatos Shala

Janë bërë gati gjashtë muaj, që kur në Kosovë janë shfaqur rastet e para me COVID-19. Nga atëherë e deri më tani, pyetja më e shpeshtë që është bërë nga qytetarët e Kosovës, ka qenë: “Kur po i qet qeveria qato 170 euro”?.

Qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës, prej disa muajsh, pritjen dhe shpresën e vetme e kanë pasur tek 170 euro. Pagesa e kësaj shume ishte shtyrë deri tani për disa arsye. Herë deputetët nuk ishin të gjithë në Kuvend, e herë komisioni nuk gjente kohë të merrej me këtë çështje. Por, duket se tashmë, po i vjen fundi kësaj pritje, e qytetarëve do t’u dalin në llogaritë e tyre këto para – me të cilat vështirë se mund të kalohet një muaj.

Qeveria njoftoi së fundmi se me rishikimin e buxhetit do të ekzekutohen pagat prej 170 eurosh si dhe mbulimi prej 50 për qind të vlerës së qirasë për bizneset.

 

 

Kush dhe si mund të merren 170 euro?

Punëtorët, të cilët janë pezulluar apo larguar nga puna pas muajit maj, nuk përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës dhe as në ndonjë pako tjetër. Aplikimi për të përfituar nga kjo pako është mbyllur më datën 15 maj. Pakoja emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, kishte paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajt e ardhshëm (prill dhe maj).

Pagesa për muajin maj do të mund të bëhet pas miratimit të Ligjit të rishikuar për ndarjet buxhetore 2020, i cili tashmë është dekretuar nga presidenti i Kosovës. Deri më tani, për shkak të mungesës së buxhetit, është bërë vetëm një pagesë. Punën gjatë kësaj kohe e kanë humbur të punësuarit në sektorin privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Në këtë sektor vlerësohet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë. Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka treguar se çdo ditë, punëtorët po mbeten pa punë dhe se nuk po marrin më asnjë ndihmë nga shteti.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë obligim për këta punëtorë që po humbin punën çdo ditë. Është një gjendje e rëndë. Kompanitë kanë rifilluar punën, por punëtorët nuk janë thirrur të fillojnë punën. Tani për tani, pjesa dërrmuese e punëtorëve në sektorin privat nuk e ka pagën 100 për qind; ata marrin diku 60 për qind, pasi që pronarët e kompanive po thirren në atë se nuk janë ndihmuar nga shteti dhe nuk mund t’i paguajnë punëtorët”.

Ndonëse faza e parë e masave lehtësuese në Kosovë filloi më 4 maj, ende janë në fuqi disa kufizime për bizneset, të cilat kanë shtyrë shumë të tilla të reduktojnë veprimtarinë e tyre dhe rrjedhimisht, të ulin edhe numrin e punëtorëve. Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë. Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7 për qind.

Ndryshe, më 30 korrik deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020. Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliardë e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh, si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumën 385 milionë euro.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of