Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka njoftuar se pritet që Kosovës t’i dërgohen edhe 100 mijë e 620 vaksina. Këto vaksina sipas Zemajt do të arrijnë në qershor. Kosova ka nisur këtë javë vaksinimin kundër koronavirusit me vaksinat AstraZeneca.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se përmes një komunikimi të fundit që ka pasur nga kompania COVAX është bërë e ditur se është konfirmuar ardhja edhe e 100.620 vaksinave anti-Covid në muajin qershor.
Zemaj shprehu falënderim për shtetet mike të Kosovës, derisa theksoi se komunikimin që pati nga COVAC e ka përcjell tek ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Të dielën në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës anti-Covid.
“Nga komunikimi i fundit që arriti sot nga COVAX, ( për sigurimin e radhës së vaksines Pfizer-BioNTech) komunikim të cilin ia përcolla Ministrit Vitia për ta vazhduar atë zyrtarisht, konfirmohen 100.620 vaksina anti-Covid-19 në qershor, për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.
Tutje ish-ministri ka falënderuar të gjithë shtetet mike të Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe vendore që me muaj të tërë u angazhuan për sigurimin e vaksinave.
“Shpreh edhe një herë falënderimin e thellë për shtetet mike, organizatat ndërkombëtare dhe vendore si dhe ekipin profesional të Republikës së Kosovës të cilët u angazhuan me muaj të tërë për sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave .Ju faleminderit të gjithëve”, shtoi ai.
Duhet përkujtuar që deri të dielën, Kosova ishte ndër vendet e pakta që nuk pati marrë asnjë dozë të vaksinës anti-Covid.
Tani për tani situata me koronavirus vazhdon të jetë mjaftë e rënduar ku numri i rasteve aktive me virusin SARS CoV-2 është 13 mijë e 666 raste.
Kosova ka regjistruar mbi 88,000 raste me koronavirus. Aktualisht, aktive janë mbi 13,000.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.