Kosova synon krijimin e Gjykatës Komerciale

05/08/2020 11:24 AM 0 komente

Kosova synon të krijojë Gjykatën Komerciale, e cila ka për qëllim ta ndihmojnë ekonominë tani në kohën e COVID-19 por edhe në komplikimet e tjera ekonomike që ka Kosova. Për Odën Ekonomik, krijimi i kësaj Gjykate do ta rregullonte ekonominë e vendit e posaçërisht, rimëkëmbjen ekonomike.

 

Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe USAID – Programin për Drejtësi Komerciale, kanë mbajtur sot një forum virtual për të diskutuar në lidhje krijimin e Gjykatës Komerciale, e cila do ta ndihmonte ekonominë tani në kohën e COVID-19 por edhe në komplikimet e tjera ekonomike që ka Kosova.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, theksoi se krijimi i kësaj Gjykate do ta ndihmonte ekonominë e vendit e posaçërisht për rimëkëmbjen ekonomike.

Ai tha se Gjykata Komerciale, ndër të tjera, do të krijonte ambient më të besueshëm dhe do të sillte më shumë investime në Kosovë.

“Gjykata do të ndihmonte në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë të besueshme. Rrit besimin e bizneseve në institucione. E po ashtu, zvogëlon perceptimin e korrupsionit dhe e rrit profesionalizmin”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa Selim Selimi, ministër i Drejtësisë, tha se ka qenë e rëndësishme që së bashku me partnerët strategjikë të fillojë puna për krijimin e një ndërmarrje më të madhe siç është Gjykata Komerciale që do të merret me kontestet ekonomike.

Ai tha se themelimi i Gjykatës i shton një shtyllë të fortë sistemit të drejtësisë dhe nuk e ngarkon atë siç është parë me skepticizëm.

“Gjykata nuk e ngarkon sistemin e drejtësisë por e qartëson sistemin, e profilizon atë dhe do të kishim një shtyllë të tërë që do ta ndihmonte sistemin e drejtësisë komerciale”, është shprehur ministri.

Ai shtoi se në shtator pritet që ligji për krijimin e kësaj Gjykate të shkojë në Kuvend.

“E kam prioritet që Gjykata të formohet sa më shpejt. Nga shtatori do ta kemi ligjin gati mbi Gjykatën Komerciale dhe do ta çojmë në Kuvend dhe besoj nuk do të kontestohet”, ka shtuar ai.

Më tej, gjyqtari Mahir Huduti ka sqaruar se struktura e Gjykatës Komerciale do të mundësojë operimin me profilizim të caktuar të gjyqtarëve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of