Operatorët e mëdhenj janë me humbje. IPKO dhe Telekomi i Kosovës kanë humbje të akumuluara në bilanc për më shumë se 120 milionë euro. IPKO ndërkohë është në shitje
Viti 2019 nuk ishte një vit shumë i mbarë për tregun e komunikimeve elektronike në Kosovë. Sipas të dhënave nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), volumi i tregut të komunikimeve për vitin 2019 ra në 129.9 milionë euro. Ky është niveli më i ulët në të paktën pesë vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2018, volumi i tregut ra me rreth 12%.
Tendenca e rënies së volumit të tregjeve të komunikimeve elektronike është e ngjashme edhe në Shqipëri. Me sa duket, kjo lidhet sidomos me konkurrencën në rritje mes operatorëve, sidomos në shërbimet e telefonisë së lëvizshme dhe internetit. Këto shërbime sjellin mbi 95% të volumit total të tregut të komunikimeve elektronike në Kosovë.
Tregu i komunikimeve elektronike në Kosovë, në vija të përgjithshme, në tërësinë e vet është më i përqendruar dhe dy operatorët më të mëdhenj Telekom i Kosovës (Vala) dhe IPKO Communications, zotërojnë pjesën dërrmuese të tregut. Për vitin 2019, këta operatorë së bashku realizuan një qarkullim prej rreth 116 milionë eurosh, sa 89% e volumit total të tregut. Por, pjesa e lartë e tregut nuk është përkthyer aspak në pozicion të shëndetshëm financiar për kompanitë. Së bashku, IPKO dhe Telekomi i Kosovës kanë humbje të akumuluara në bilanc për më shumë se 120 milionë euro.
Megjithatë, Kosova ka një numër më të madh të operatorëve celularë se Shqipëria, sepse ka arritur të rregullojë kuadrin e funksionimit të operatorëve të rrjeteve virtuale (MVNO). Veç IPKO dhe Vala, në shërbimet e lëvizshme operojnë edhe tre operatorë MVNO, D3 Mobile, Z Mobile dhe MTS. Pjesa e operatorëve virtualë është relativisht e vogël, me rreth 5% të të ardhurave totale të tregut. Vala, me rreth 51% dhe IPKO me 44% dominojnë në tregun e shërbimeve nga rrjetet e lëvizshme.
Tregu i shërbimit të internetit me linja fikse duket se është më konkurrues. Ashtu si në Shqipëri, përqendrimi në këtë treg është më i ulët dhe operatorët e mëdhenj kanë pjesë më të vogël. Sipas të dhënave nga ARKEP, tregu i internetit, vitin e kaluar, kishte një volum prej afërsisht 34 milionë eurosh. Operatori më i madh, IPKO, zotëron rreth 35% të të ardhurave totale, i ndjekur nga operatori tjetër KUJTESA me rreth 22%. Në fund të vitit 2019, në Kosovë kishte rreth 328 mijë abonentë internet dhe një penetrim të këtij shërbimi në rreth 18% të popullsisë.
Tregu i telefonisë fikse tashmë ka rënë në përmasa modeste, me rreth 5.5 milionë euro në vitin 2019. Kjo është një tendencë e përgjithshme në tregjet e komunikimeve elektronike, e diktuar nga zëvendësimi i këtij shërbimi me komunikimet nëpërmjet rrjeteve celulare dhe internetit. Në fund të 2019-s, Kosova kishte rreth 58 mijë abonentë të telefonisë fikse dhe një shkallë penetrimi të këtij shërbimi në nivelin e 3.2%.
IPKO është në shitje
Operatori më i madh për nga xhiroja në tregun e telekomunikacioneve vitin e kaluar ishte IPKO Communications, me një xhiro totale në vlerën e 62.6 milionë eurove. Xhiroja e IPKO pësoi rënie me mbi 13% krahasuar me vitin 2018. IPKO është operatori më i madh në tregun e shërbimeve të internetit me linja fikse, ndërsa në shërbimet nga rrjetet celulare, renditet i dyti, pas Valës.
Rënia e të ardhurave është reflektuar negativisht edhe në rezultatin financiar të kompanisë. Vitin 2019 u mbyll me një humbje para Tatimit në Vlerën e Shtuar 1.1 milionë euro. Humbjet e IPKO u dyfishuan krahasuar me vitin 2018. Që nga fillimi i aktivitetit, IPKO ka akumuluar humbje në bilancin e vet, për pothuajse 65 milionë euro.
Sipas menaxherëve të kompanisë, humbjet kanë ardhur si rezultat i nevojave të mëdha për investime, shpenzimeve të larta të zhvlerësimit, si dhe nga shpenzimet për interesa. IPKO ka në bilanc hua për një vlerë prej pothuajse 72 milionë eurosh, nga të cilat 67.5 milionë euro janë detyrime afatgjata. Vetëm gjatë vitit 2019, IPKO pagoi gati 3 milionë euro për interesat e borxhit. Kreditë e IPKO janë pak më të mëdha se kapitali i nënshkruar i shoqërisë dhe mbi 14 herë sa kapitali aksioner i shoqërisë në fund të vitit 2019.
IPKO ngelet e varur nga mbështetjet me hua nga aksioneri, Telekom Slovenije, i cili është edhe kreditori kryesor. Megjithatë, kompania, në pasqyrat financiare, thekson se rezultati para interesave, amortizimit, zhvlerësimit dhe taksave (EBITDA) është gjerësisht pozitiv, në vlerën e pothuajse 31 milionë eurove.
Pavarësisht kësaj, gjendja financiare e IPKO-s sigurisht që nuk e kënaq aksionerin e vetëm dhe këtë vit, Telekom Slovenije, i cili në vitin 2019 vendosi ta nxjerrë në shitje kompaninë. Shitja është përcaktuar si pjesë e strategjisë 2019-2023 të kompanisë, por aksioneri slloven ka bërë të ditur se ende nuk është në fazën e përzgjedhjes së një blerësi. Këtë vit, u përfol se blerësi më i interesuar ishte operatori më i madh serb, Telekom Srbija, por autoritetet në Kosovë janë shprehur se nuk do ta lejojnë një transaksion të tillë.
Autorizimi individual për përdorimin e spektrit të frekuencave përcakton se transferimi i të drejtave mbi to duhet të miratohet nga ARKEP. Në vitin 2018, Telekom Srbija paraqiti ofertën më të lartë për blerjen e aksioneve të kompanisë Telekom Albania (sot One Communications), por u detyrua të tërhiqej, sepse qeveria shqiptare paralajmëroi se nuk do ta autorizonte transaksionin përmes rregullatorit të tregut.
Telekomi, në krizë të thellë
Rënie edhe më të thellë të të ardhurave vitin e kaluar pësoi Telekomi i Kosovës. Sipas pasqyrave financiare të shoqërisë, për vitin 2019, të ardhurat ranë në 53.3 milionë euro, 19% më pak krahasuar me vitin 2018. Rezultati financiar i kompanisë ishte thellësisht negativ, në vlerën e pothuajse 27 milionë eurove, në rritje të mëtejshme me 70% krahasuar me vitin 2018. Rezultati negativ prej pesë vitesh radhazi i ka çuar humbjet e akumuluara në pothuajse 62 milionë euro. Humbja e vitit të fundit financiar e ka çuar kapitalin aksioner të shoqërisë në vlera negative, me -2.3 milionë euro.
Prej vitit 2016, kompania po vuan pasojat e humbjes së çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit me kompaninë Dardafon (Z-Mobile), operator MVNO në pronësi të një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Kosovë, Blerim Devolli. Vendimi i gjykatës e detyroi Telekomin e Kosovës të paguajë rreth 32 milionë euro dëmshpërblim. Mosgjetja e mëtejshme e konsensusit lidhur me skedulimin e pagesave dhe penaliteteve i çuan palët sërish në ngërç dhe këtë vit, Telekom u përball edhe me bllokimin e llogarive bankare. Në bilancin e vitit 2019, Telekom kishte llogaritur rreth 25 milionë euro provigjione të lidhura me vendimet e gjykatave.
Mes detyrimeve të pashlyera nga Telekomi, është edhe një shumë prej 5 milionë eurosh ndaj ARKEP, për rinovimin e licencës për përdorimin e frekuencave, e cila u rinovua pikërisht në vitin 2019. Kjo situatë mund ta kërcënojë kompaninë me ndërmarrjen e veprimeve përmbarimore, ose me heqjen e licencës.
Auditimi nga Zyra Kombëtare e Auditit ka evidentuar gjithashtu një sërë keqdeklarimesh materiale dhe mospërputhje me standardet e IFRS në pasqyrat financiare. Në opinionin e vet, auditi shprehet se gjendja negative e kapitalit të shoqërisë hedh dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar aktivitetin, sipas parimit të vijimësisë. Ky fakt pranohet qartë edhe nga administratorët e shoqërisë në shënimet e pasqyrave financiare.
Ndër masat e ndërmarra nga Telekomi, vitin e kaluar, për të siguruar mbijetesën e kompanisë, është ulja e shpenzimeve, marrja e një huaje nga aksionerët dhe kërkesa ndaj qeverisë së Kosovës për të hequr dorë nga një dividend prej 15 milionë eurosh. Kjo shumë është miratuar në vitin 2015, por nuk është paguar asnjëherë dhe ka ngelur në bilanc si detyrim i pagueshëm. Megjithatë, këto masa mund të mos mjaftojnë për të siguruar vijimësinë e aktivitetit të shoqërisë dhe ndoshta, për të shpëtuar Telekomin e Kosovës mund të nevojiten ndërhyrje të mëtejshme.
Kujtesa rrit xhiron, por edhe ajo është me humbje
Operatori i tretë më i madh në tregun e komunikimeve elektronike është Kujtesa, operator i shërbimeve kabllore. Për vitin 2019, Kujtesa raportoi të ardhura totale në vlerën e 15.4 milionë eurove, në rritje me 10% krahasuar me vitin 2018. Kujtesa zotëronte 11.85% të tregut të komunikimeve elektronike në Kosovë, të matur sipas totalit të të ardhurave.
Edhe Kujtesa e mbylli vitin 2019 me humbje në vlerën 691 mijë euro, ndërsa në vitin 2018 realizoi një fitim para tatimit, në vlerën 789 milionë eurove. Me gjithë rritjen e të ardhurave, kryesisht nga zgjerimi i shitjeve në aktivitetin primar, Kujtesa regjistroi paralelisht rritje të kostove, shpenzimeve operative dhe shpenzimeve financiare, që përcaktuan përkeqësimin e rezultatit financiar të kompanisë.
Aktiviteti kryesor i kompanisë është ofrimi i internetit dhe shërbimeve të tjera të komunikimeve elektronike, nëpërmjet linjave fikse. Në këtë segment, Kujtesa është operatori i dytë më i madh në treg, pas IPKO-s, me 24% të përdoruesve totalë të tregut. Kujtesa është kompani me kapital vendas dhe aksioner fundor kontrollues është themeluesi dhe drejtori ekzekutiv, Fiton Peja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.