Kosova vendi i vetëm në rajon pa ofertë konkrete për investitorët

03/07/2020 3:00 PM 0 komente

Oda e Afarizmit të Kosovës ka shprehur shqetësimin për vazhdimin e pritjeve të pa afat që janë duke ju bërë investitorëve përmes Ligjit për Investime Strategjike.

Oda e Afarizmit të Kosovës është shprehur shumë e shqetësuar për vazhdimin e pritjeve të pa afat që janë duke ju bërë investitorëve përmes Ligjit për Investime Strategjike.

OAK i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që sa më parë të krijohet komisioni për shqyrtimin e aplikimeve të cilat janë në proces dhe të kalojnë bizneset të cilat i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.

OAK konsideron që tërheqja e investimeve dhe kalimi i aplikimeve që janë në pritje është e domosdoshme e sidomos në këtë periudhë pandemie, gjë që do të kishte ndikim pozitiv.

“Për më tepër Oda e Afarizmit të Kosovës ka analizuar vendet e rajonit dhe ofertat që kanë përgatitur për bizneset e interesuara që të investojnë, duke na bërë neve vendin e vetëm pa ofertë konkrete për investitorët potencialë, duke na sjellë në pozitë jo garuese në krahasim me to. Përveç që Kosova ende nuk ka stimuj financiar për bizneset, po ashtu ambienti i të bërit biznes cilësohet të jetë më pak i përshtatshëm krahasuar me të gjitha vendet e rajonit”, thuhet në komunikatën për media të OAK-ut.

“Me këtë ligj -vijon komunikata- është synuar që të krijohen lehtësira për bizneset të cilat marrin statusin e investitorit strategjik duke krijuar kështu edhe lehtësira në procedurat burokratike dhe përshpejtim të atyre administrative për investitorët potencialë”.

Ligji për investime strategjike pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017.

Shuma minimale që një projekt të konsiderohet si investim strategjik, sipas Ligjit është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro.

Ligji për Investime Strategjike nga autoritetet e vendit ishte konsideruar një ligj i cili krijon kushte shumë më të mira për investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë ligj ishte theksuar si i jepet fund procedurave burokratike.

Ndryshe, Ligji për investime strategjike në kohën kur ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës patën kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe ishin zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of