Qeveria e Kosovës ka miratuar sanksione të reja ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, të cilat përfshijnë ngrirjen e pasurive të individëve të sanksionuar, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e transportit të mallrave në Kosovë.
Kosova ka shtuar sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Kosova është rreshtuar krah politikave të SHBA-së dhe BE-së për sanksionet.
Në pakon e sanksioneve përfshihen ndalesa edhe për Bjellorusinë.
Sanksionet e Kosovës nënkuptojnë ngrirje të aseteve të të sanksionuarve në territorin e Kosovës, ndalim të operimit në tregun financiar kosovar, ndalim-udhëtimi, si dhe bllokim të qasjes në fonde për të sanksionuarit.
Përveç këtyre sanksioneve, Qeveria e Kosovës është pajtuar edhe për vendosje të masave kufizuese për grupin Wagner, i cili përbëhet nga mercenarë me bazë në Rusi.
“Individët e listuar nga BE-ja janë të përfshirë në abuzime serioze në të drejtat e njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutime jashtëgjyqësore”, ka thënë Ahmeti, duke iu referuar individëve të lidhur me grupin Qagner, që janë sanksionuar nga blloku evropian.
Qeveria ka bërë edhe shqyrtimin e propozim-vendimit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me marrjen e masave restriktive për terrorizëm ndaj ISIS-it dhe Al-Qaeda-s dhe personave fizikë e juridikë, subjekteve ose strukturave të tjera të lidhura me to
Kremlini pretendon se Wagner është grup privat, mirëpo ai konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Mercenarët e këtij grupi dyshohen për abuzime në Mali, Libi dhe Siri.
Kosova dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor – përveç Serbisë – kanë përkrahur sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë më 16 maj për raportet e bllokut evropian me Ballkanin Perëndimor.
Më vonë gjatë ditës së hënë, ata do të kenë edhe një takim të përbashkët me shefat e diplomacisë së gjashtë vendeve të këtij rajoni.
“Diskutimet për Ballkanin Perëndimor, në takimin e 27 ministrave, sikur edhe ato kur të takohen së bashku ministrat e BE-së me ata të vendeve të rajonit, do të jetë përballja e përbashkët me sfidat dhe pasojat që ka krijuar agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”.
Trysnia kryesore do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.